Liqeni i Tiranës është një oaz qetësie dhe sporti, jo vetëm për vendasit, por edhe për turistët e huaj që kanë zgjedhur kryeqytetin e Shqipërisë për të pushuar.
Liqeni Artificial i Tiranës vijon të mbetet një nga hapësirat më të frekuentuara dhe më tërheqëse të kryeqytetit, duke ofruar një peizazh magjepsës dhe ambiente çlodhëse për qytetarët.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Liqeni Artificial i Tiranës, i “pushtuar” nga gjelbërimi i pemëve.
Parku i Madh përbën masivin më të madh të gjelbërimit në Tiranë dhe shërben si një hapësirë multifunksionale për pushim, argëtim dhe aktivitete në natyrë për të gjitha grupmoshat. Ai ofron mundësi për ecje, vrap, çlodhje dhe aktivitete rekreative në një ambient të qetë dhe të gjelbëruar.
Nga pikëpamja gjeografike, parku shtrihet në një zonë kodrinore me pjerrësi të butë, ndërsa në pjesën jugore të tij ndodhet pasqyra ujore e liqenit artificial. Shtrirja e liqenit krijon gjire dhe gadishuj të vegjël, duke e bërë zonën veçanërisht piktoreske.
Ndërtimi i Parkut të Madh të Liqenit nisi në vitet ’50. Në vitin 1955 u krijua liqeni artificial nga ujërat përreth, si dhe u ndërtua me punë vullnetare një digë rreth 400 metra e gjatë, e cila shërben për të parandaluar vërshimin e ujërave drejt qytetit.
Në vitet 1957-1958 vijoi mbjellja e bimësisë dekorative dhe ndërtimi i infrastrukturës së parkut, duke e kthyer atë gradualisht në një nga hapësirat më të rëndësishme publike të kryeqytetit.