Aktivisti i njohur i diasporës shqiptare në Zvicër dhe kryetari i Shoqatës Humanitare “Greshnica”, Xhevahir Ramadani, ka reaguar ashpër për zhvillimet e fundit në skenën politike dhe ndikimin e tyre në shoqatat shqiptare në diasporë. Përmes një postimi publik në Facebook, ai ka ngritur shqetësime për, siç thotë, përzierjen e interesave partiake dhe personale brenda organizatave humanitare dhe shoqatave të mërgatës.
Ramadani thekson se shoqatat duhet të mbeten vende bashkimi, solidariteti dhe kontributi kombëtar, e jo të shndërrohen në mjete për interesa individuale apo politike.
Në reagimin e tij publik, ai shprehet se “kanë rënë maskat” dhe se tashmë po dalin në pah fytyrat e vërteta të individëve që, sipas tij, po e përdorin angazhimin në shoqata për interesa personale dhe politike, duke shkaktuar përçarje mes bashkatdhetarëve në diasporë.
Postimi i plotë në Facebook:
“Ranë maskat, u panë fytyrat e vërteta!
Kontributi dhe angazhimi politik nën hijen e shoqatave në diasporë po sjell përçarje, interesa personale dhe mashtrime ndaj njerëzve të sinqertë.
Pyetja është: Kush humb, kush përçan dhe kush përfiton në fund?
Disa individë, me dinakëri dhe prapavijë personale, mundohen të dominojnë në shoqëri vetëm për ta ngritur veten aty ku nuk i kanë as vlerat, as shkollën dhe as historinë patriotike. Fatkeqësisht, shumë njerëz bien pre e këtyre manipulimeve duke menduar se po ndjekin rrugën e duhur.
E them hapur dhe troç:
Ata që i sjellin simpatitë partiake dhe interesat personale brenda shoqatave, nuk duhet të kenë hapësirë në kryesi, sepse ata përçajnë anëtarët, dëmtojnë unitetin dhe shkatërrojnë frymën e bashkëpunimit.
Pasojat janë të rënda dhe të pafalshme, sepse herët a vonë bie maska dhe shihen fytyrat e vërteta. Dhe kjo dhemb shumë.
Shoqatat duhet të mbeten vende bashkimi, respekti dhe kontributi kombëtar — jo mjete për interesa personale apo politike.
Me respekt,
Xhevahir Ramadani”