TV LIVE
Nga Vendi
7 May 2026
BOTOHET LIBRI “MIGJENI – POET I VUAJTJES DHE MJERIMIT”, VEPRA E 10-TË E AUTORIT MR.NEXHAT MEHMEDI

Sapo ka dalë nga botimi vepra më e re e autorit Nexhat Mehmedi, me titull Migjeni – Poet i Vuajtjes dhe Mjerimit, e cila shënon një tjetër kontribut të rëndësishëm në letërsinë dhe kulturën tonë. Kjo është vepra e dhjetë e autorit dhe i kushtohet figurës së poetit të madh shqiptar Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, jetës, krijimtarisë dhe mesazhit të tij shoqëror e njerëzor.
Në parathënien e librit, autori thekson se kjo vepër vjen në kuadër të përkujtimit të 115-vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 88-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, duke e paraqitur poetin si zërin më të fuqishëm të vuajtjes, mjerimit dhe padrejtësive sociale të kohës. Përmes analizës së poezisë dhe prozës migjeniane, libri sjell një pasqyrë të thellë të realitetit shoqëror shqiptar të viteve ’30 dhe rolit të Migjenit në modernizimin e letërsisë shqipe.
Në këtë botim janë përfshirë po ashtu edhe fjalimet dhe kumtesat nga Akademia Përkujtimore me rastin e 55-vjetorit të vdekjes së Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, e mbajtur në shtator të vitit 1993 në Kërçovë. Këto materiale përbëjnë një dëshmi me vlerë kulturore dhe historike, duke sjellë reflektime, vlerësime dhe kujtime për figurën dhe ndikimin e Migjenit në letërsinë dhe mendimin shqiptar.
Autori Nexhat Mehmedi, me përvojën e tij shumëvjeçare në arsim, kulturë dhe veprimtari shoqërore, e konsideron këtë botim si frymëzim nga vlerat universale të krijimtarisë së Migjenit dhe si një përpjekje për ta afruar figurën e poetit me lexuesit e rinj.
Vepra është botuar në Kërçovë dhe pritet të zgjojë interesim te studiuesit, nxënësit, studentët dhe dashamirët e letërsisë shqipe.



Të ndryshme
Më shumë