Një person ka vdekur në një aksident trafiku në një autostradë në komunën Dolni Andrijevci në Kroaci. Aksidenti ndodhi dje në orën 14:15, kur një kamion rrëshqiti nga rruga dhe u përfshi nga flakët. Mediat kroate raportojnë se policia në vendngjarje ka gjetur targa regjistrimi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Deri më tani është konstatuar se shoferi, identiteti i të cilit nuk dihet, po e drejtonte kamionin në korsinë e parë, kur ka dalë nga rruga në anën e djathtë.
Kamioni fillimisht ka goditur mbrojtësen metalike në mes të rrugës, pastaj një shtyllë ndriçimi dhe ka kaluar në korsinë e kundërt. Pas rrëshqitjes, ai është përplasur sërish në mbrojtësen qendrore dhe në një tjetër shtyllë ndriçimi.
Pas aksidentit ka shpërthyer zjarr dhe kamioni është djegur plotësisht bashkë me shoferin.
Në vendngjarje janë thirrur shërbimet emergjente.
Policia thotë se po vazhdon punën për të përcaktuar të gjitha rrethanat e aksidentit dhe identitetin e viktimës.
Arritja e zjarrfikësve është vështirësuar për shkak të bllokimeve të mëdha të trafikut.
Në faqen në Facebook “Zjarrfikësit – 193” është publikuar një video ku shihet se shoferët në autostradë nuk kanë krijuar korridor emergjent për kalimin e automjeteve të ndihmës së shpejtë.
“Kultura e vozitjes zero”, thuhet në përshkrimin e videos.
Videoja gjithashtu tregon se zjarrfikësit janë detyruar të dalin nga kamioni dhe personalisht të udhëzojnë shoferët për të liruar rrugën.