Meta ka blerë startup-in Assured Robot Intelligence, i specializuar në zhvillimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale për robotë, në një lëvizje që sinjalizon ambiciet e saj në fushën e robotikës humanoide. Sipas raportimit të Bloomberg, teknologjia e këtij startup-i konsiderohet ndër më të avancuarat, duke u mundësuar robotëve të kuptojnë, parashikojnë dhe përshtaten me sjelljen njerëzore në mjedise komplekse.
Ekipi i Assured Robot Intelligence, përfshirë bashkëthemeluesit Lerrell Pinto dhe Xiaolong Wang, do t’i bashkohet laboratorit kërkimor të Meta-s, “Superintelligence Labs” dhe do të punojë në zhvillimin e teknologjive bazë për robotët humanoidë. Ky zhvillim është pjesë e një strategjie më të gjerë të kompanisë për të ndërtuar robotë që mund të lëvizin si njerëzit dhe të kryejnë detyra fizike në mënyrë autonome.
Në këtë garë globale, Meta po konkurron me kompani të tjera të mëdha si Tesla, Google dhe Amazon, të cilat gjithashtu po investojnë në zhvillimin e robotëve humanoidë. Sipas kompanisë, ekspertët e rinj do të fokusohen në zhvillimin e modeleve të avancuara për kontrollin e robotëve dhe në krijimin e sistemeve vetë-mësuese, që mund të menaxhojnë lëvizjet e të gjithë trupit të robotit.
Paralelisht, Meta po punon edhe për zhvillimin e pajisjeve (hardware) dhe softuerëve të vet për robotikën, përfshirë sensorë dhe algoritme të avancuara. Qëllimi final është krijimi i një platforme të hapur për industrinë e robotëve humanoidë, në mënyrë të ngjashme me rolin që Android dhe çipet e Qualcomm luajtën në zhvillimin e tregut të telefonave inteligjentë.