Sektori për Krim Kompjuterik pranë Byrosë për Siguri Publike, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, informon opinionin publik se ditëve të fundit është vërejtur një rritje e rasteve ku persona të panjohur, përmes një numri të huaj telefoni +639606963624, u dërgojnë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut mesazhe për një gjoja kundërvajtje të regjistruar në trafik dhe kërkojnë pagesë me kartë bankare përmes një ueb-faqeje të rreme http://mvr.govmk.cam/mk.
Mashtrimi realizohet në atë mënyrë që, pasi personat klikojnë në linkun e dërguar në mesazh, ai i çon në një faqe të rreme të MPB-së, ku kërkohet të vendosin targën e automjetit të tyre dhe më pas u shfaqet një gjoja kundërvajtje, për të cilën kërkohet pagesë prej 1500 denarësh.
MPB u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos u besojnë mesazheve që vijnë nga faqe apo burime jo legjitime të Ministrisë, si dhe të mos lënë të dhënat e tyre personale apo të kartelave bankare, pasi ato mund të keqpërdoren.
Gjithashtu, Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së u bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve juridike që të mos hapin lidhje të dyshimta dhe dokumente të bashkëngjitura në mesazhe që nuk vijnë nga dërgues të verifikuar dhe të njohur për ta, me qëllim që të mos bien pre e mashtrimeve të këtij lloji.