TV LIVE
Nga Vendi
2 May 2026
Kryeministri Mickoski tregon kur do të përfundon autostrada Kërçovë–Ohër

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se autostrada Kërçovë–Ohër do të lëshohet plotësisht në përdorim më së voni deri në tremujorin e parë të vitit 2027.

Ai vuri në dukje se projekti u përball me sfida serioze financiare, veçanërisht pas anulimit të kredisë nga banka kineze “Exim”. Megjithatë, siç tha ai, autoritetet kanë arritur të sigurojnë një zgjidhje të re përmes formimit të një sindikate me bankat komerciale vendase, gjë që garanton vazhdimin dhe përfundimin e ndërtimit.

“Është shumë e rëndësishme që qytetarët ta shohin progresin e autostradës drejt Ohrit, e cila tashmë është lëshuar pjesërisht në qarkullim. Presim që, sipas paralajmërimeve, ajo të përfundojë plotësisht më së voni deri në tremujorin e parë të vitit 2027. Përkundër sfidave, projekti do të realizohet deri në fund,” deklaroi Mickoski.

Autostrada Kërçovë–Ohër është një nga projektet kyçe të infrastrukturës në vend, i cili pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen rrugore dhe sigurinë në këtë aks rrugor.

Autostrada e gjatë 57 kilometra filloi të ndërtohet në vitin 2014, dhe deri më tani janë hapur rreth 40 kilometra, përkatësisht seksionet Vrbjani-Botun dhe Klimeshtani-Ohër, ndërsa pjesa tjetër është ende në ndërtim e sipër.

Por një premtim se autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë deri në fund të vitit 2026 e kishte dhënë ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski më 10 korrik 2024.



Të ndryshme
Më shumë