TV LIVE
Nga Rajoni
2 May 2026
Gjykimi i ish-krerëve në Hagë, Behrami: Çdo shtyrje e verdiktit është kalkulim politik, vendimi të merret brenda afatit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka deklaruar se kthimi i liderëve të kësaj partie nga Haga është në interes të Republikës së Kosovës, duke theksuar se vendi ka nevojë për vizionin dhe përvojën e tyre politike.

Sipas Behramit, rikthimi i tyre do të ndikonte në balancimin e skenës politike në vend, të cilën ai e cilësoi si të trazuar dhe në mungesë të qeverisjes efektive.

Ai shtoi se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme dhe se prania e ish-udhëheqësve do të kontribuonte në stabilizimin e situatës.

“Kthimi i liderëve të PDK-së nga Haga është në interes të Republikës së Kosovës përtej partive politike. Kosova si kurrë më parë ka nevojë për kthimin e tyre në Kosovë, ka nevojë për vizionin e tyre, ka nevojë për trashëgimin e tyre dhe kthimi i tyre padyshim që do ta balanconte krejt skenën politike në Republikën e Kosovës dhe do ta kthente në një gjendje normale këtë skenë e cila është e trazuar dhe në mungesë të vizionit dhe në mungesë të dëshirës për të qeverisur ne po hyjmë prej një krize në një krizë tjetër”, deklaroi ai në tëvë1.

Duke folur për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Behrami u shpreh se pret që vendimi të merret brenda afatit tre mujor të paraparë, respektivisht deri më 18 maj.

Ai paralajmëroi se çdo shtyrje e mundshme e afatit do të rriste pasigurinë dhe mosbesimin e qytetarëve ndaj kësaj gjykate.

Ndërkohë thotë se shtyrja e verdiktit për verë është kalkulim politik, sipas tij vendimi duhet të merret deri më 18 maj.

“Shpresoj që Gjykata Speciale do ta respektojë afatin tre mujor, i cili është i përcaktuar dhe nuk do të kërkojë shtesë për të shpallur vendimin, sepse çdo kërkesë për shtyrje të afatit rritë pasigurinë, mosbesimin e thellë të shoqërisë ndaj kësaj Gjykate, dhe po ashtu mund të rritë edhe gjasat për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së. Trupi gjykues duhet ta bëjë një balancë në krejt këtë proces dhe të paktën të vjen një verdikt në këtë tre mujor ashtu siç parashihet që i bie deri më 18 maj. Çdo tendencë për ta shtyrë për verë verdiktin është kalkulim politik i Gjykatës. Gjykata nuk duhet të kalkulojë politikisht, por duhet të përqendrohet vetëm në atë që është diskutuar në sallë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, nga Specialja nuk e kanë bërë të ditur datën se kur do të jepet vendimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, por në një publikim është theksuar se çështja gjyqësore është në fazën e kuvendimeve.



Të ndryshme
Më shumë