TV LIVE
Nga Vendi
28 April 2026
Fjalimi i Kryetarit Gashi në konferencën ndërkombëtare “Ballkani Perëndimor në vorbullën e gjeopolitikës së re të sigurisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, po qëndron në
Lubjanë, Slloveni, ku po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Ballkani Perëndimor
në vorbullën e gjeopolitikës së re të sigurisë”, në kuadër të “Takimit të III Ndërkombëtar të
Miqve të Ballkanit Perëndimor”, organizuar nga Nizami Ganjavi International Center.
Ngjarja po zhvillohet në prani të personaliteteve të shquara politike dhe institucionale nga
Europa, rajoni dhe më gjerë, përfshirë ish-krerë shtetesh, përfaqësues të lartë të BE-së, si
dhe të dërguar specialë për Ballkanin Perëndimor.

Në kuadër të punimeve të konferencës, Kryetari i Kuvendit mbajti një adresim, në të cilin
theksoi rëndësinë strategjike të zgjerimit të Bashkimit Europian, si dhe përkushtimin e
Maqedonisë së Veriut për avancimin e agjendës reformuese dhe integrimin euroatlantik.
Më poshtë fjalimi i plotë të Kryetarit të Kuvendit:
Të nderuar përfaqësues shtetëror,
Të nderuar të pranishëm,
Është kënaqësi dhe nder i veçantë që të jem pjesë e këtij diskutimi të rëndësishëm për të
ardhmen e rajonit tonë. Në një kohë kur kontinenti ynë gjendet përballë sfidave të
ndëlikuara gjeopolitike, diskutimi për zgjerimin e Bashkimit Europian shkon përtej një
çështje e të ardhmes europiane. Sot, më shumë se kurrë, zgjerimi përfaqëson një provë të
karakterit politik të Europës.
Republika e Maqedonisë së Veriut, që nga pavarësia në vitin 1991, ka përcaktuar qartë
orientimin stretegjik drejt integrimit euroatlantik. Ky objektiv politik, nuk ka qenë një zgjedhje
e rastësishme, por është gdhendur thellë në themelet e shtetësisë sonë. I njejti si
konsensus i gjërë shoqëror e insitucional, i ka mbijetuar ndryshimeve politike, sfidave të
brendshme dhe pengesave të jashtme, duke mbetur gjithmonë busulla jonë strategjike dhe
shprehje e aspiratës sonë qytetare.

Megjithatë, rruga jonë në këtë drejtim nuk ka qenë lineare. Ajo është shoqëruar nga sprova
që shpesh kanë tejkaluar vetë logjikën dhe kriteret e procesit të anëtarësimit. Siç e dini,
çështjet bilaterale kanë lënë gjurmë të thella në ritmin e integrimit tonë. Dhe megjithatë, ne
kemi zgjedhur dialogun përballë përplasjes dhe kompromisin përballë stagnimit.
Përtej sfidave kemi dëshmuar vullnet politik dhe guxim të rrallë për të zgjidhur
mosmarrëveshje të vështira, përfshirë kompromisin historik me Greqinë përmes
Marrëveshjes së Prespës, si dhe përpjekjet aktuale për tejkalimin e sfidave me Bullgarinë.
Kompromisi i madh me ndryshimin e emrit të shtetit, ishte një akt i përgjegjësisë dhe
pjekurisë politike. Ishte moment i rrallë kur politika i dha përparësi të ardhmes mbi të
kaluarën. Ai akt, duhej të shërbente si model për rajonin, si dëshmi se dialogu dhe pjekuria
politike mund të zgjidhin edhe çështjet më të ndërlikuara. Por nëse këto përpjekje nuk
shpërblehen me progres konkret në integrim, apo me një përgjigje të drejtë, atëherë lind një
pyetje legjitime: çfarë mesazhi po u dërgojmë vendeve të tjera të rajonit? A po shpërblehet
vërtetë guximi politik?
Të nderuar,
Sot përballemi me një sfidë të dyfishtë: nga njëra anë, lodhja nga zgjerimi brenda Bashkimit
Europian, dhe nga ana tjetër, lodhja nga ngecja në vendet kandidate. Ky hendek i
besueshmërisë rrezikon të krijojë një “dhomë pritjeje të përhershme”, e cila jo vetëm që dekurajon reformat, por edhe cenon besimin e qytetarëve në projektin europian; gjë që për
mua është më e rezikshme.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të jemi të sinqertë në dy çështje: A e do vërtetë BE-
ja zgjerimin? Si dhe, sa është vullneti real i shteteve anëtare për zgjerim?
Ndoshta përtej deklarimeve, është koha për të bërë pyetje më të drejtpërdrejta. Jo vetëm sa
kanë avancuar vendet kandidate në proces, por edhe sa është në gjendje të përballojë BE-
ja në gatishmërinë për t’i pranuar ato?. Sepse zgjerimi, në thelb, është një kontratë besimi
që kërkon përgjegjësi dhe guxim nga të dyja palët.
Gjithashtu, dimensioni gjeopolitik i zgjerimit është bërë i pamohueshëm. Në një botë ku
ndikimi i aktorëve të mëdhenj globalë është në rritje, Ballkani Perëndimor nuk mund të
mbetet një hapësirë gri. Stabiliteti, siguria dhe prosperiteti i Europës janë të lidhura
drejtpërdrejt me integrimin e plotë të këtij rajoni.
Të nderuar të pranishëm,
Është shumë e vërtetë se sfidat tona si shtete kandidate janë reale dhe të njohura: sundimi
i ligjit, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e institucioneve, liria e mediave. Por është po aq
e vërtetë se këto reforma nuk mund të mbijetojnë në një vakuum shprese. Reformat kanë
nevojë për besueshmëri dhe besueshmëria ndërtohet kur përpjekja dhe sakrifica
shpërblehet.

Ne besojmë se një qasje më e guximshme do të ishte integrimi i menjëhershëm i të gjashtë
vendeve të Ballkanit Perëndimor si një paketë e përbashkët. Sa më shpejt të bëhemi pjesë
e Bashkimit Europian, aq më shpejt do të konsolidohen standardet demokratike, do të
forcohet sundimi i ligjit dhe do të zgjidhen edhe çështjet bilaterale që sot e pengojnë
progresin. Historia e vetë shteeve europiane ka treguar se integrimi është instrumenti më
efektiv për pajtim dhe stabilitet.
Në këtë kuptim, zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në merita, por jo i penguar nga
kalkulime afatshkurtra politike. Sepse nëse standardet janë të njëjta, atëherë edhe trajtimi
duhet të jetë i tillë. Le të jemi të sinqertë se vendet e Ballkanit Perëndimor sot janë në
shumë aspekte më të përgatitura sesa disa vende që u anëtarësuan në valët e mëparshme
të zgjerimit. Ky realitet meriton të njihet në vendimarrje politike dhe të reflektohet në një
qasje më të drejtë.
Të nderuar miq,
Europa ka qenë gjithmonë më e fortë kur ka ditur të veprojë me vizion dhe sot, zgjerimi
është testi i këtij vizioni. Në këtë rast, Ballkani Perëndimor nuk është një periferi që duhet
lënë në pritje, por është një pjesë e Europës që kërkon të plotësojë vetveten.
Një poet dikur tha, “parajsa nuk njeh në mes kufinë”, ndaj do e përpunoja atë varg duke
thënë se “nuk mund të bëhet Europa dot parajsë, derisa Ballkani mbetet jashtë”.

Në fund, më lejoni të theksoj: e ardhmja europiane e rajonit tonë nuk duhet të mbetet një
premtim, ajo duhet të bëhet realitet i prekshëm për qytetarët tanë. Dhe ndonjëherë,
vendimet më të rëndësishme nuk maten me kujdesin për të mos gabuar, por me guximin
për të vepruar.



Të ndryshme
Më shumë