TV LIVE
Nga Vendi
27 April 2026
Vajc me kritikë të ashpër: Vitin e fundit nuk pamë përparim as reforma në Maqedoninë e Veriut

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc (Thomas Waitz), ka porositur se respekti i ndërsjellë mes vendeve anëtare dhe vendeve kandidate është baza e bashkëpunimit tonë në Bashkimin Evropian.

I pyetur për rrugën evropiane të shtetit tonë, Waitz në një intervistë për „Euronews Bulgaria“, ka theksuar se vetëm së bashku, veçanërisht në këto kohë gjeopolitike, vetëm së bashku si popuj evropianë, mund ta mbrojmë mënyrën tonë evropiane të jetesës dhe vlerat tona evropiane, përcjell INA.

“Dhe kjo vlen për të gjitha qeveritë, ashtu si edhe për qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Në vitin e fundit nuk kemi parë asnjë përparim, asnjë reformë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për fillimin e negociatave, por edhe për agjendën reformuese, Planin e Rritjes. Nëse vendi nuk i zbaton reformat e nevojshme, 47 milionë eurot nuk do të shkojnë për të, por për vendet fqinje,” ka thënë Waitz.

Raportuesi, mes tjerash, ka thënë se reformat më të rëndësishme për anëtarësim në BE janë të gjitha ato në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, sigurimit të sistemeve gjyqësore të pavarura që garantojnë drejtësi për qytetarët, por edhe për biznesin.

“Gjithashtu, edhe për zhvillimin e vendit. Pa Bashkimin Evropian, nëse nuk keni një status të duhur të sundimit të ligjit, nuk do të tërhiqni investitorë të huaj për të investuar në vendin tuaj. Pra, kjo është një çështje kyçe. Dhe po, korrupsioni është kancer në shoqëritë tona, ashtu si edhe në Bashkimin Evropian. Edhe në vendin tim ne ende luftojmë kundër korrupsionit. Pyetja është nëse kemi institucione, nëse kemi legjislacion, nëse kemi autoritete që janë të afta dhe të gatshme dhe kanë hapësirë politike për të vepruar në luftën kundër korrupsionit apo jo. Dhe ne ende duhet të shohim përmirësime në këtë drejtim edhe nga ana e Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së saj. Kjo është theksuar qartë edhe në raport”, ka vënë në dukje Waitz.

Ai gjithashtu tha se shpreson që anëtarësimi i Shqipërisë, ose shanset e mëdha për anëtarësimin e saj, do të japin një stimul edhe në skenën politike në Maqedoninë e Veriut.

“Këtë e shoh te njerëzit – që kur filloi ndarja (nga Shqipëria), mbështetja për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut po rritet. Dhe shpresoj që qeveria t’i dëgjojë qytetarët e saj. Kjo është ajo që do populli. Dhe ata nuk e duan këtë aq shumë për njërin apo tjetrin argument politik apo ideologjik, por kryesisht për sundimin e ligjit, sigurinë, si dhe zhvillimin ekonomik, çështjet e jetës së përditshme. A do të kenë fëmijët e mi punë? A ka kopsht fëmijësh? A ka infrastrukturë? A ka spital? Këto janë pyetjet që janë vërtet të rëndësishme për njerëzit, dhe ata e kuptojnë se brenda Bashkimit Evropian ka shanse më të mëdha për të marrë më shumë nga këto”, ka theksuar Waitz.

“Nëse Maqedonia e Veriut angazhohet, angazhohet seriozisht për reforma – dhe duke pasur parasysh se vendi është kandidat për më shumë se 20 vjet, tashmë ka ndërmarrë disa hapa që vendet e tjera ende nuk i kanë bërë, si Bosnja apo Serbia. Pra, nëse vërtet angazhohet për reforma serioze, sërish do të ketë një lloj shansi për t’u bashkuar me klubin e Shqipërisë dhe Malit të Zi për anëtarësim, gjatë këtij mandati të Parlamentit Evropian. Fatkeqësisht, deri më tani nuk shoh se po ndërmerren reformat e nevojshme. Në këtë moment, nuk shoh vullnet politik nga ana e qeverisë për t’u angazhuar, për t’u angazhuar seriozisht, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Por, unë jam aty për të mbështetur, jam aty për ta ndihmuar rajonin të lëvizë përpara, prandaj nuk do të dorëzohem”, ka përfunduar Waitz në intervistë.(INA)



Të ndryshme
Më shumë