Pjesa e fjalimit të ministrit për Evropën dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, kushtuar çështjes së gjuhës shqipe dhe kërkesave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, është veçuar si mesazhi kryesor i adresimit të tij në Samitin e Diasporës, i mbajtur në Tiranë nga 13 deri më 15 prill.
Në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, kjo pjesë është publikuar si lajmi kryesor nga aktiviteti, duke e vendosur theksin te mbështetja institucionale e Tiranës për të drejtat gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Më poshtë mund të lexoni pjesën e fjalimit të ministrit Hoxha që është caktuar pjesa më kryesore në Samitin e Diasporës:
Ministri Hoxha në Samitin e Diasporës: Gjuha shqipe është ADN-ja jonë.
Ajo nuk është thjesht mjet komunikimi, është kujtesë, identitet, është vazhdimësi.
Nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë, atëherë përgjegjësia është vetëm e jona.
Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut, për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare.
Këtë duhet ta kemi parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët dhe organizatorët në diasporë, që mbajnë gjallë gjuhën tonë çdo fundjavë, në çdo klasë, në çdo aktivitet.
Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje; meritojnë shumë mbështetje konkrete dhe për këtë jam tërësisht i organizuar së bashku me gjithë ekipin tim në Ministrinë e Punëve të Jashtme e jam i sigurtë, me gjithë qeverinë shqiptare.