TV LIVE
Nga Bota
11 April 2026
“Është shpërfytyruar”, Burime iraniane: Mojtaba Khamenei ka pësuar lëndime të rënda

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, po rikuperohet nga plagë të rënda në fytyrë dhe këmbë që i mori gjatë një sulmi ajror, i cili i kushtoi jetën të atit në fillim të luftës, sipas tre personave të afërt me rrethin e tij të ngushtë, të cituar nga agjencia Reuters.

Sipas të njëjtave burime, fytyra e Khameneit, është dëmtuar rëndë në sulmin që goditi kompleksin e udhëheqësit suprem në qendër të Teheran, ndërsa ai ka pësuar plagë serioze në njërën ose të dyja këmbët.

56-vjeçari, megjithatë, po shërohet dhe është në gjendje të plotë mendore, sipas burimeve që kërkuan të mbeten anonimë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Ai vazhdon të marrë pjesë në takime me zyrtarë të lartë përmes komunikimeve audio në distancë dhe, sipas dy prej burimeve, ka rol në vendimmarrje për çështje të rëndësishme si lufta dhe negociatat me Uashingtonin.

Këto pyetje mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe aftësinë për të drejtuar shtetin lindin në një kohë kur Irani përballet me një nga rreziqet më të mëdha gjeopolitike të dekadave të fundit, ndërsa priten të fillojnë bisedime paqeje me SHBA-në në Islamabad, kryeqytetin e Islamabad në Pakistan.

Raportimet e këtyre burimeve pranë rrethit të ngushtë të Khameneit janë ndër përshkrimet më të detajuara të dhëna deri tani për gjendjen e tij shëndetësore dhe nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur nga Reuters.

Vendndodhja e tij, gjendja shëndetësore dhe aftësia për të qeverisur mbeten kryesisht të panjohura për publikun, pasi nuk janë publikuar foto, video apo mesazhe zanore pas sulmit ajror dhe pas shpalljes së tij si pasardhës i të atit më 8 mars.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters mbi natyrën e plagëve të Khameneit apo arsyen pse ai nuk është shfaqur në materiale vizuale apo audio.

Khamenei u plagos më 28 shkurt, ditën e parë të luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli, në një sulm që i mori jetën të atit dhe paraardhësit të tij, ajatollah Ali Khamenei, i cili kishte udhëhequr vendin që nga viti 1989.

Bashkëshortja e Mojtaba Khameneit dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij u vranë gjithashtu në sulm.

Nuk ka pasur një deklaratë zyrtare iraniane mbi shkallën e plagëve të tij. Megjithatë, një prezantues në televizionin shtetëror e ka cilësuar atë si “janbaz”, një term që përdoret për personat e plagosur rëndë në luftë, pas ngritjes së tij në postin e udhëheqësit suprem.

Raportimet mbi gjendjen e tij përputhen edhe me deklaratën e 13 marsit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth, i cili tha se Khamenei ishte “i plagosur dhe ndoshta i deformuar”.

Një burim me njohuri mbi vlerësimet e shërbimeve të inteligjencës amerikane tha për Reuters se besohet që ai ka humbur njërën këmbë.

Agjencia amerikane e inteligjencës CIA refuzoi të komentojë mbi gjendjen shëndetësore të Khameneit, ndërsa zyra e kryeministrit izraelit nuk iu përgjigj pyetjeve të Reuters.

 



Të ndryshme
Më shumë