TV LIVE
Nga Bota
11 April 2026
Nisin në Islamabad bisedimet e paqes midis SHBA-së dhe Iranit: Trump paralajmëron pasoja nëse dështon marrëveshja

Bisedimet e paqe midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nisin këtë fundjavë në Islamabad. Bisedimet do të mbahen në kryeqytetin pakistanez nën masa të rrepta sigurie, për shkak të të cilave autoritetet kanë shpallur dy ditë festë shtetërore dhe kanë zbrazur rrugët e qytetit.

​Delegacioni amerikan udhëhiqet nga Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, së bashku me përfaqësuesin special Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner. Përpara takimit, Vance tha se SHBA-ja hyn në negociata me një ndjenjë optimizmi, por në të njëjtën kohë paralajmëroi Iranin “të mos përpiqet të jetë më i zgjuar se SHBA-ja”.

​Delegacioni iranian në Islamabad përbëhet nga 71 persona, duke përfshirë negociatorë, ekspertë, përfaqësues të mediave dhe të sigurisë, njoftuan sot mediat shtetërore iraniane. Delegacioni udhëhiqet nga Mohammad Baqer Qalibaf, kryetar i parlamentit iranian, dhe në përbërje të tij është edhe ministri i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi.

​Propozimi prej 15 pikash i administratës Trump, i cili nuk është zbuluar plotësisht, thuhet se përfshin detyrimin e Iranit për të mos poseduar armë bërthamore, dorëzimin e uraniumit të tij të pasuruar lart, kufizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Teheranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

​”Kemi qëllime të mira, por nuk besojmë. Përvoja jonë në negociatat me amerikanët ka qenë gjithmonë e shënuar nga dështimet dhe premtimet e shkelura,” tha Araghchi pas uljes në Islamabad.

​Gjithashtu u njoftua se Izraeli dhe Libani do të nisin negociatat zyrtare të paqes në Uashington të martën. Ndërprerja e sulmeve në Liban është një nga kushtet që kërkon Irani në negociatat paralele me SHBA-në.

​Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ushtria e SHBA-së po përgatitet për sulme të reja ndaj Iranit nëse negociatat që nisin në Pakistan nuk çojnë në një marrëveshje përfundimtare.

​”Po e nisim çdo gjë nga fillimi. Po mbushim anijet me municionin më të mirë dhe me armët më të fuqishme të prodhuara ndonjëherë. Nëse nuk ka marrëveshje, do t’i përdorim ato në mënyrë shumë efektive,” kërcënoi presidenti amerikan.

​Më herët, Trump në rrjetin e tij “Truth Social” paralajmëroi “restartin më të fuqishëm të botës”.



Të ndryshme
Më shumë