Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar sot lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha thekson se përdorimi i gjuhës amtare përbën një të drejtë themelore, të garantuar nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.
“E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në gjuhën shqipe”, shkruan Hoxha.
Ai thekson se, “përdorimi i gjuhës amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë”.
Hoxha nënvizon se, nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.
“Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore”, shton më tej ministri Hoxha.
Hoxha thekson se, “demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve”.
“Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”, thekson Hoxha.