TV LIVE
Nga Bota
6 April 2026
“Lufta me Iranin drejt fundit,” –Trump paralajmëron goditje të forta në javët në vijim

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar se lufta me Iranin është “drejt përfundimit”, por paralajmëroi se javët në vijim do të jenë vendimtare për ecurinë e konfliktit, përcjell Fox News.

“Do ta përfundojmë punën shumë shpejt. Jemi shumë afër”, tha Trump, duke shtuar se forcat amerikane do të godasin “shumë fort” në dy deri në tre javët e ardhshme.

Ai i ka vendosur Iranit një afat deri të martën për rihapjen e Stratit të Hormuzit, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të ndërmerren sulme të gjera ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.

Presidenti amerikan theksoi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA mund të godasë centralet elektrike të Iranit “njëkohësisht dhe shumë fort”. Ndërkohë, ai la të kuptohet edhe mundësinë e kontrollit të qarkullimit në Hormuz për të siguruar furnizimin global me energji.

Sipas analistëve ushtarakë, faza aktuale e luftës pritet të përqendrohet në dobësimin e kapaciteteve të Iranit për raketa dhe dronë, si dhe në goditjen e infrastrukturës që i mbështet ato. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se Irani ende ruan kapacitete të konsiderueshme ushtarake, përfshirë mijëra dronë dhe një pjesë të madhe të lëshuesve të raketave.

Ndërkohë, ka edhe skepticizëm mbi një strategji të qartë daljeje nga konflikti, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë do të nënkuptojë konkretisht “përfundimi i luftës”.

Zhvillimet e ditëve në vijim, veçanërisht përpara afatit të vendosur nga Trump, pritet të përcaktojnë nëse konflikti do të shkojë drejt mbylljes apo përshkallëzimit të mëtejshëm.



Të ndryshme
Më shumë