TV LIVE
Nga Vendi
2 April 2026
Ali Ahmeti me letër të hapur: Gjuha shqipe nuk negociohet, çdo cenim i saj është sulm ndaj rendit kushtetues

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një letre të hapur ka reaguar ndaj debatit për statusin e gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo është e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë, dhe jo çështje që mund të vihet në diskutim politik, përcjell Zyrtare.net

Në letrën e tij, Ahmeti nënvizon se shtetet e qëndrueshme ndërtohen mbi marrëveshje të mëdha politike dhe respekt të ndërsjellë, duke paralajmëruar se relativizimi i këtyre parimeve hap debate të panevojshme dhe dëmton kohezionin shtetëror.

Ai e cilëson gjuhën shqipe si shtyllë të barazisë dhe bashkëjetesës, duke rikujtuar se Marrëveshja e Ohrit është themeli mbi të cilin është ndërtuar rendi aktual kushtetues. Sipas tij, çdo përpjekje për të kufizuar përdorimin e shqipes përbën “përballje të drejtpërdrejtë me rendin kushtetues”.

Ahmeti thekson se shqiptarët nuk e kanë kontestuar asnjëherë gjuhën dhe identitetin maqedonas, por kanë kontribuar në forcimin e shtetit dhe orientimin e tij euroatlantik. Ai shton se barazia gjuhësore nuk dobëson shtetin, por e bën atë më të drejtë dhe funksional.

Në letër, kreu i BDI-së shpreh shqetësim edhe për qasjet në Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, duke akuzuar për prani të një mendësie “majorizuese etnike” në trajtimin e çështjeve të ndjeshme ndëretnike.

Duke iu referuar edhe Komisioni i Venedikut, Ahmeti thekson se ky institucion nuk e ka shpallur ligjin për përdorimin e gjuhëve si antikushtetues, por ka vënë theksin te sfidat praktike të zbatimit, si kapacitetet dhe organizimi administrativ.

Ai kritikon ashpër retorikat që synojnë kufizimin e gjuhës shqipe, duke i cilësuar ato si jo evropiane dhe destabilizuese, ndërsa apelon për maturi politike dhe respekt të barazisë si parakusht për paqe dhe stabilitet.

Në fund, Ahmeti është i prerë: “Kthim pas nuk ka. Të drejtat e fituara nuk negociohen dhe nuk zhbëhen”, duke shtuar se çdo tentativë për kufizim të gjuhës shqipe përbën regres të rrezikshëm dhe cenim të themeleve të shtetit.



Të ndryshme
Më shumë