Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar 45-vjetorin e demonstratave studentore të vitit 1981, duke i cilësuar ato si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne kombëtare.
Ahmeti theksoi se demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 nisën si një reagim i studentëve për kushte më të mira, por shumë shpejt u shndërruan në një lëvizje të gjerë popullore për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar. Sipas tij, këto ngjarje shënuan fillimin e një procesi të pakthyeshëm historik që kontribuoi në ndryshimet e mëdha politike në rajon.
“11 dhe 16 marsi, si dhe 1 dhe 2 prilli, janë data që dëshmojnë guximin dhe vendosmërinë e rinisë sonë për të kërkuar të drejtat e mohuara. Ato ditë u bënë themel i një rruge të gjatë sakrifice dhe përpjekjeje për liri,” deklaroi Ahmeti.
Ai shtoi se demonstratat e vitit 1981 zgjuan ndërgjegjen kombëtare dhe forcuan unitetin e popullit shqiptar, duke theksuar se asnjë pengesë nuk mund ta ndalte një popull të bashkuar për një ideal të drejtë.
Në fund, Ahmeti shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në atë periudhë—studentë, punëtorë, veprimtarë dhe të burgosur politikë—duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet frymëzim për brezat e rinj dhe për rrugën drejt përparimit dhe barazisë.
Ja postimi plotë:
Këtë vit shënojmë 45-vjetorin e demonstratave të fuqishme studentore të vitit 1981, demonstrata që nisën si zë i studentëve, por shumë shpejt u bënë zë i gjithë popullit për liri, barazi dhe dinjitet kombëtar. Ato ditë të marsit dhe prillit shënuan një kthesë të madhe historike dhe u bënë themeli i proceseve që më pas do të çonin edhe në rrënimin e perandorisë Jugosllave.
11 dhe 16 marsi, si dhe 1 dhe 2 prilli, janë data të shënuara në historinë tonë kombëtare. Janë ditë kur rinia jonë, studentët dhe punëtorët, u ngritën me guxim dhe ideal për të kërkuar të drejtat e mohuara dhe për të hapur rrugën e lirisë. Nga ato demonstrata filloi një rrugë e gjatë sakrifice, përpjekjeje dhe qëndrese, një rrugë që kaloi nëpër shumë sfida, por që kurrë nuk u ndal.
Demonstratat e vitit 1981 nuk ishin vetëm protesta studentore, por ishin një lëvizje e madhe popullore që zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe e ktheu çështjen tonë në një proces të pakthyeshëm historik. Ato demonstrata e dëshmuan se kur një popull bashkohet për një ideal të drejtë, asnjë perandori nuk mund ta ndalë rrugën e tij drejt lirisë, që edhe u jetësua me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Në këtë jubile të 45-vjetorit, me respekt dhe mirënjohje i kujtojmë të gjithë studentët, veprimtarët, punëtorët, patriotët, të burgosurit politikë dhe të rënët që u bënë pjesë e atij orteku të madh kombëtar. Sakrifica, guximi dhe idealizmi i tyre mbeten frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë dhe për rrugën tonë kombëtare drejt barazisë, dinjitetit, përparimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës.