Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu zhvilloi dje një takim me raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ionut-Marian Stroe dhe Pawel Jablonski.
Në qendër të diskutimeve ishte ecuria e reformës në drejtësi dhe sfidat e ardhshme.
Gjatë takimit, Gogu theksoi se procesi i vetingut po shkon drejt përmbylljes, ndërsa institucionet e drejtësisë kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi.
Sipas tij, sfida kryesore tashmë mbetet rritja e cilësisë së sistemit, përmes garantimit të profesionalizmit, paanshmërisë dhe funksionimit efektiv në shërbim të qytetarëve.
Në bisedime u trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me luftën kundër korrupsionit, situatën në institucionet e paraburgimit, si dhe nevojën për reformimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor, përfshirë Kodin Penal dhe kodet e procedurave.
Gogu vlerësoi bashkëpunimin me Këshillin e Europës si një element kyç për forcimin e garancive për qytetarët, përmirësimin e aksesit në drejtësi dhe rritjen e efikasitetit të sistemit.
Ai nënvizoi se drejtësia merr kuptim vetëm kur funksionon në mënyrë konkrete për qytetarët dhe i përgjigjet nevojave të tyre të përditshme.