TV LIVE
Kuriozitete
1 April 2026
Destinacioni që po fiton zemrat e turistëve- Ura e Mesit, simbol i historisë dhe natyrës në Shkodër

Ura e Mesit është një ndër monumentet më të veçanta kulturore në zonën e Shkodrës, e cila tërheq çdo ditë një numër të madh vizitorësh të huaj.

Turistët që ndalojnë në këtë destinacion mbeten të mahnitur nga ndërthurja e natyrës së paprekur me bukurinë e rrallë të urës qindravjeçare.

Ata shprehen të impresionuar jo vetëm nga vlerat historike që mbart ky monument, por edhe nga peizazhi piktoresk që e rrethon, duke e kthyer Ura e Mesit në një nga pikat më të preferuara për t’u vizituar në veri të Shqipërisë.

“Vij nga Spanja dhe për mua është hera e parë që e vizitoj Shqipërinë. Dua të them se po ndihem shumë i lumtur në vendin tuaj. Shkodra është vërtet një qytet shumë i bukur, dhe vizita në Kalaja e Rozafës është një përvojë fantastike. Pamja nga kalaja është e mrekullueshme dhe historia e saj e bën edhe më të veçantë. Po ashtu edhe Ura e Mesit një monument tepër i veçantë. Shqiptarët njihen për mikpritjen e tyre, ndaj është shumë bukur që po na presin me dashamirësi, çdo gjë fantastike”, shprehet turisti.

“Jemi nga Malta dhe kjo është hera e dytë që vijmë. Këtë herë kemi vizituar si veriun ashtu edhe jugun. Kemi lëvizur shumë dhe na kanë pëlqyer pamjet, ushqimi dhe pothuajse çdo gjë këtu. E vetmja gjë që vumë re është se rrugët kanë nevojë për pak përmirësim. Në përgjithësi, njerëzit janë shumë mikpritës dhe po e shijojmë shumë qëndrimin tonë. Nga këtu do të shkojmë për të vizituara Alpet, vendi juaj ofron shumë mundësi për të bërë turizëm”, vlerëson turistja.

Ura e Mesit mbetet një dëshmi e gjallë e trashëgimisë kulturore dhe historike të zonës së Shkodrës, duke vijuar të tërheqë vizitorë nga e gjithë bota. E ndërthurur në mënyrë harmonike me natyrën përreth, kjo urë jo vetëm që ruan vlerat e së shkuarës, por edhe promovon potencialin turistik të veriut të Shqipërisë.

Gazetar: M. Rakaj    

/rtsh.al/



Të ndryshme
Më shumë