Tema e ristrukturimit të Qeverisë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të dominojë debatin publik, ndërsa reagime të ndryshme po vijnë nga aktorë politikë. Së fundmi, për këtë çështje ka reaguar edhe Remzi Mehmedi, anëtar i Kryesisë Qendrore të Aleancës për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës dhe ish-deputet. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mehmedi thekson se ristrukturimi i qeverisë, ndonëse në rrethana normale do të duhej të ishte një proces teknik, në Maqedoninë e Veriut është shndërruar në një nga temat kryesore politike të muajve të fundit. Sipas tij, fakti që kjo çështje po merr kaq shumë hapësirë në opinion, hap dilema të rëndësishme për prapaskenat politike. Ai ngre pyetjen nëse ristrukturimi po përdoret nga kryeministri për të disiplinuar partnerët qeveritarë, për të mbuluar problemet reale me të cilat përballet vendi, apo për të menaxhuar zhvillimet e brendshme në VMRO-DPMNE. Mehmedi vlerëson se secila nga këto dilema ka peshë, por të marra së bashku ato sinjalizojnë se vendi mund të përballet me zhvillime të reja politike në periudhën në vijim. Në këtë kontekst, ai bën thirrje për vigjilencë më të madhe të faktorit politik shqiptar, duke theksuar se është e domosdoshme që të mos bëhen pjesë e skenarëve të të tjerëve, por të veprojnë në funksion të interesave të tyre dhe të ardhmes kolektive. Debati për ristrukturimin e qeverisë në RMV mbetet i hapur, ndërsa pritet të shihet nëse këto paralajmërime do të reflektohen në zhvillimet konkrete politike në vend.