TV LIVE
Nga Vendi
27 March 2026
MINISTRI TRIPUNOVSKI INJORON SHQIPEN NË AKTIVITET ZYRTAR NË KËRÇOVË, PUSHTETARËT SHQIPTARË NË HESHTJE, KOMUNA ME ARSYETIME ABSURDE

Në tribunën e organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave me bujqit në Komunën e Kërçovës, nuk është respektuar Ligji për përdorimin e gjuhëve.

Sipas këtij ligji, në aktivitete të organizuara nga ministritë, banderolat, posterat dhe materialet promovuese duhet të jenë në gjuhën maqedonase dhe shqipe, si dhe duhet të sigurohet përkthim gjatë zhvillimit të aktivitetit. Megjithatë, në këtë tribunë, as banderola e vendosur në vendin e ngjarjes dhe as fjalimet e diskutimet nuk janë shoqëruar me përkthim në gjuhën shqipe.

Kjo e drejtë, e garantuar me ligj në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të mos zbatohet në praktikë, ndërsa reagimet nga përfaqësuesit shqiptarë mungojnë. Premtimet e mëhershme për mbrojtjen dhe avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Kërçovë, kanë mbetur në nivel deklarativ e e jo në zbatim konkret.

Për këtë çështje, TV Uskana pyeti ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, si organizator i tribunës. Ai dekalroi se të gjithë të pranishmit e kuptojnë gjuhën maqedonase, duke shtuar se në Maqedoni gjuhë zyrtare është vetëm gjuha maqedonase, dhe se kjo është hera e parë që përballet me një vërejtje të tillë….

Ndërkohë, nga Komuna e Kërçovës janë arsyetuar duke thënë se përkthyesit në atë kohë nuk kanë qenë në punë. Pavarësisht kësaj, fakti që gjuha shqipe nuk është përdorur dhe ligji nuk është respektuar, ka nxitur kritika, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, të cilët kishin premtuar angazhim për zbatimin e ligjit, deri më tani nuk kanë reaguar.



Të ndryshme
Më shumë