TV LIVE
Nga Rajoni
27 March 2026
Kosova dhe Panamaja heqin vizat për pasaportat diplomatike dhe zyrtare

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Republikës së Panamasë, Carlos A. Hoyos kanë nënshkruar marrëveshjen për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës bëhet e ditur se kanë nisur diskutimet për liberalizimin edhe për pasaportat e rregullta.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Panamasë kanë shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, përmes nënshkrimit të marrëveshjes për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.

Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë i Republikës së Panamasë, Carlos A. Hoyos, në një ceremoni zyrtare që rikonfirmoi përkushtimin e të dy vendeve për avancimin e bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjeve diplomatike”, thuhet në njoftim.

Referuar komunikatës së MPJD-së, gjatë takimit dypalësh që i parapriu nënshkrimit, palët diskutuan për nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave edhe për mbajtësit e pasaportave të rregullta, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë sigurinë, arsimin e lartë dhe turizmin.

Po ashtu, u dakordua që raundi i ardhshëm i konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive, në nivel të zëvendësministrave, të mbahet në Prishtinë në fund të vitit 2026.



Të ndryshme
Më shumë