TV LIVE
Kuriozitete
19 March 2026
Papa Klementi XI, shqiptari i fronit të Shën Pjetrit, sot në 305-vjetorin e ngjitjes në altarin e shenjtërisë

Më 19 mars, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Papës Klementi XI (1721), kujtesa jonë kthehet jo vetëm tek një figurë e lartë e Kishës Katolike, por tek një personalitet që mbart në vetvete një lidhje të thellë me fatin historik dhe shpirtëror të shqiptarëve. Ai mbetet një nga dëshmitë më të vyera se si identiteti nuk është thjesht një prejardhje, por një përgjegjësi që kërkon veprim.
I lindur si Gjon Françesk Albani më 23 korrik 1649 në Urbino, në një familje me rrënjë shqiptare, ai u formua në qendrat më të larta të dijes në Romë, duke u dalluar për një intelekt të mprehtë dhe një përkushtim të rrallë ndaj Kishës. Ngjitja e tij në hierarkinë kishtare ishte e shpejtë dhe e merituar: nga sekretar i kanonikëve, në kardinal e më pas, më 23 nëntor 1700, në fronin papnor si pasardhësi i 261-të i Shën Pjetri Apostull.

Por madhështia e pontifikatit të tij nuk qëndron vetëm në këtë ngjitje. Ajo provohet në kohën e vështirë që iu desh të përballonte. Europa e fillimshekullit XVIII ishte një hapësirë e trazuar nga luftërat dhe rivalitetet dinastike. Konflikti mes fuqive të mëdha, veçanërisht në kuadër të riorganizimit të kontinentit pas marrëveshjeve si Traktati i Utrechtit, e vendosi Papën përballë sfidave të mëdha diplomatike dhe politike. Në këtë vorbull, Klementi XI u përpoq të ruante ekuilibrin, duke e mbajtur Selinë e Shenjtë si një faktor stabiliteti dhe ndërmjetësimi.
Megjithatë, përtej këtyre zhvillimeve europiane, një pjesë e shpirtit të tij mbeti e kthyer kah trojet e të parëve. Ai nuk e harroi kurrë prejardhjen shqiptare. Përkundrazi, e shndërroi atë në një motiv veprimi. Në një kohë kur Shqipëria gjendej nën sundimin osman dhe përjetonte një zbehje të thellë të strukturave kishtare e kulturore, Papa Albani ndërmori një hap vendimtar.
Më 14 janar 1703, nën kujdesin dhe nxitjen e tij, në Mërçi të Lezhës u mblodh Kuvendi i Arbënit, një ngjarje themelore për historinë e Kishës dhe të kulturës shqiptare. Ky sinod nuk ishte thjesht një organizim kishtar; ai ishte një akt vetëdijeje kombëtare. Në të u përcaktuan rregulla për jetën fetare, por njëkohësisht u hodhën themelet për ruajtjen e gjuhës dhe të traditës në një kohë rreziku të madh asimilimi.

Botimi i akteve të këtij kuvendi në shqip dhe latinisht ishte një akt me rëndësi të jashtëzakonshme kulturore. Ai dëshmonte se gjuha shqipe nuk ishte vetëm mjet komunikimi popullor, por bartëse e një tradite dhe dinjiteti që meritonte të dokumentohej dhe të ruhej. Në këtë kuptim, veprimtaria e Klementi XI mund të shihet si një pararendëse e asaj që më vonë do të quhej Rilindje Kombëtare.
Në planin më të gjerë kishtar dhe universal, pontifikati i tij u shqua për një angazhim të thellë teologjik dhe misionar. Ai luftoi devijimet doktrinare të kohës, kontribuoi në rregullimin e riteve dhe në zgjerimin e veprimtarisë misionare në hapësira të largëta si Mesdheu, Persia, India dhe Kina. Kjo e bën figurën e tij një ndërthurje të rrallë të mendimit teologjik me veprimin konkret në terren.

Por përtej historisë dhe veprës, mbetet edhe dimensioni i brendshëm, ai shpirtëror. Lutja e tij, e mbushur me përulësi dhe etje për përkryerje, është një dëshmi e një njeriu që e kuptonte pushtetin jo si privilegj, por si shërbim:“O Zoti im, besoj në Ty, ma përforco besimin; shpresoj në Ty, ma jep shpresën; të dua Ty, ma rrit dashurinë…”
Në këtë lutje nuk flet Papa, por njeriu. Një njeri që kërkon të formësojë vetveten përmes virtytit, që e sheh jetën si një përpjekje të vazhdueshme drejt dritës.
Kujtimi i Klementi XI nuk është thjesht një homazh për një figurë historike. Ai është një rikujtim se edhe në kohët më të errëta, mund të lindin figura që mbajnë gjallë një shpresë. Një shpresë që nuk shpërthen me zhurmë, por punon në heshtje, përmes gjuhës, kulturës, besimit dhe përkushtimit.
Dhe ndoshta, në këtë përvjetor, ajo që mbetet më e rëndësishme nuk është vetëm të kujtojmë se ai ishte shqiptar, por të kuptojmë se çfarë bëri ai me këtë përkatësi.
Sepse prejardhja është një dhuratë. Por përgjegjësia për ta nderuar atë, vështë një zgjedhje.

Përgatiti: Albert Vataj



Të ndryshme
Më shumë