TV LIVE
Kuriozitete
18 March 2026
Ngre siparin te Muzeu Marubi në Shkodër ekspozita “Zofia Rydet: Regjistri Sociologjik”

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hapi ekspozitën “Zofia Rydet: Regjistri Sociologjik”, një projekt fotografik i rëndësishëm i artistes polake Zofia Rydet (1911–1997), që ofron një vështrim të gjerë mbi jetën shoqërore dhe kulturore përmes fotografisë dokumentare.

Ekspozita sjell në vëmendje projektin monumental “Regjistri Sociologjik” (Zapis socjologiczny), të cilin Rydet e nisi në vitin 1978, në moshën 67-vjeçare, kur ishte tashmë një artiste e njohur.

Fotografja u frymëzua nga shtëpia si metaforë e jetës njerëzore dhe nga mënyra se si ambientet shtëpiake pasqyronin identitetin personal, estetik, fetar dhe politik të njerëzve. Projekti filloi në rajone të ndryshme të Polonisë, si Podhale, Silezia e Epërme dhe zona përreth Suwałki-t, dhe më pas u zgjerua edhe në vende të tjera, përfshirë Lituaninë, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

Me kalimin e kohës, “Regjistri Sociologjik” u shndërrua në një projekt shumëdimensional, i ndarë në disa seri të veçanta si “Gratë në pragjet e dyerve”, “Miti i Fotografisë”, “Dritaret”, “Profesionet” dhe “Prania”. Pjesa më e madhe e fotografive përqendrohen në zonat rurale, ku artistja dokumentoi mënyrat tradicionale të jetesës dhe ndryshimet e shpejta që po përjetonte kultura popullore.

Projekti u zhvillua për më shumë se 12 vjet, nga viti 1978 deri në vitin 1990, duke përfshirë mbi 20 mijë imazhe të realizuara në më shumë se 200 provinca të Polonisë dhe jashtë saj.

Ekspozita në “Marubi” përqendrohet në një numër të rrallë stampimesh fotografike të realizuara nga vetë artistja gjatë jetës së saj dhe është e para që bazohet në vepra origjinale nga seritë e ruajtura në arkivat e Fondacionit Zofia Rydet në Krakov.

Ekspozita është prodhuar nga The Photographers’ Gallery” në partneritet me Institutin Adam Mickiewicz dhe Fondacionin Zofia Rydet, ndërsa prezantimi i saj në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. A.K./TemA



Të ndryshme
Më shumë