Oborri Mbretëror Shqiptar ka njoftuar sot zyrtarisht martesën e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit Leka II, me zonjushën Blerta Celibashi.
Në një kohë kur ngjarjet mbretërore shpesh shoqërohen me vëmendje të gjerë mediatike, çifti ka zgjedhur një qasje krejtësisht të ndryshme, duke u kurorëzuar në një ceremoni thellësisht private, intime dhe solemne.
Një nuse e re për Oborrin Mbretëror
Përmes një komunikate për shtyp të lëshuar nga kryeqyteti, Oborri ndau lajmin e gëzueshëm me kombin shqiptar dhe miqtë e Familjes Mbretërore anembanë botës. Me lidhjen e kësaj martese, jeta e Familjes Mbretërore hyn në një fazë të re.
Sipas njoftimit zyrtar, zonjusha Blerta Celibashi do të mbajë tashmë mbiemrin e njohur historik Zogu. Njëkohësisht, asaj i është akorduar titulli zyrtar Princeshë e Shqiptarëve, duke marrë kështu një rol të rëndësishëm në përfaqësimin dhe trashëgiminë e familjes.
Homazh për Mbretëreshën Geraldinë
Një nga detajet më të veçanta dhe domethënëse të këtij bashkimi ishte zgjedhja e vendit për realizimin e fotografisë zyrtare të martesës. Çifti ka pozuar në Kështjellën Apponyi në Sllovaki, një mjedis me rëndësi të thellë historike dhe sentimentale për Dinastinë Zogu.
Kjo kështjellë ka qenë rezidenca e familjes fisnike të Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Geraldinë – gjyshes së Princit Leka II. Sipas Oborrit Mbretëror, ky vendim nuk ishte i rastësishëm, por një homazh i kujdesshëm për të nderuar trashëgiminë e çmuar dhe origjinën hungareze të Mbretëreshës së ndjerë, e cila, siç theksohet në komunikatë, “mbetet një pjesë e pandarë e historisë së Familjes Mbretërore Shqiptare”.
Emri i fotografes Blerta Celibashi është përmendur shpesh në mediat shqiptare vitet e fundit, pas lidhjes së saj me Princi Leka II, një romancë që erdhi pas ndarjes së tij nga ish-bashkëshortja Elia Zaharia.
Celibashi fillimisht ishte e njohur si fotografe dhe bashkëpunëtore në komunikimin publik të Princit, duke realizuar fotografitë dhe duke u marrë me imazhin e tij në rrjetet sociale dhe aktivitete publike. Me kalimin e kohës, marrëdhënia profesionale mes tyre u kthye në një lidhje personale.(INA)