TV LIVE
Sport
14 March 2026
Futbolli i bazës/ SHRF Elbasan organizon festival sportiv me fëmijët e klubit Sopoti

Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan organizoi një festival sportiv me fëmijët nën 12 vjeç të ekipeve të grupmoshave të klubit Sopoti në Librazhd, në një aktivitet ku stërvitja u ndërthur me argëtimin dhe lojën në një atmosferë shumë pozitive.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe drejtori teknik i Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan, Eriol Merxha, i cili e vlerësoi këtë nismë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të bazës. Ai theksoi se festivale të tilla janë organizuar në disa qytete të qarkut të Elbasanit dhe do të vijojnë edhe në zona të tjera, me synimin për të përfshirë sa më shumë fëmijë në aktivitete sportive dhe për t’i afruar ata me futbollin.

Për shefin e klubit Sopoti, Besnik Kola, aktivitete të tilla kanë një ndikim të rëndësishëm për fëmijët, pasi i ndihmojnë të jenë më pranë lojës së futbollit dhe të krijojnë një raport më të ngushtë me sportin.

Ndërkohë, trajneri i ekipeve të grupmoshave të Sopotit, Klodi Mema, theksoi rëndësinë e aktiviteteve sportive për fëmijët, duke nënvizuar se ato i ndihmojnë të largohen nga përdorimi i tepruar i teknologjisë dhe t’i afrohen më shumë aktivitetit fizik dhe një stili jetese të shëndetshëm.

Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe klubet anëtare të qarkut, e ka kthyer tashmë në traditë organizimin e festivaleve sportive për grupmoshat e vogla. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është jo vetëm zbulimi dhe zhvillimi i talenteve të reja, por edhe promovimi i një stili jetese të shëndetshëm përmes sportit dhe futbollit.



Të ndryshme
Më shumë