14 Marsi është një ditë e veçantë në Shqipëri, pasi sot festohet “Dita e Verës”.
Dita e Verës konsiderohej dita e fillimit të vitit sipas kalendarit të lashtë të shqiptarëve dhe kjo ditë kremtohet që prej shumë shekujsh më parë.
Gatimi tradicional që e karakterizon këtë festë është ballokumja.
Një detaj i këndshëm i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk i bërë prej dy fijesh, të bardhë dhe të kuqe, që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Dita e Verës është një nga traditat më të vjetra të zonës së Elbasanit. Origjina e festës vjen nga tempulli i Zanës së Malit, i ndërtuar pranë lumit Shkumbin. Zana ishte perëndia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës dhe dilte vetëm në datën 14 Mars, e cila shënonte fillimin e verës, pasi në atë kohë njiheshin vetëm dy stinë, dimri dhe vera.
Edhe pse lidhet kryesisht me qytetin e Elbasanit, Dita e Verës është festë e të gjithë shqiptarëve./CNA