TV LIVE
Sport
13 March 2026
Optimizëm në Kombëtaren shqiptare para sfidës me Poloninë/ Broja dhe Daku drejt rikthimit, Seferi nuk di të ndalet me gola

Situata në sulmin e Kombëtares shqiptare duket se po ndryshon gradualisht në prag të ndeshjeve të rëndësishme të këtij muaji.

Armando Broja është drejt rikthimit në fushë pas një periudhe rreth një mujore mungese për shkak dëmtimi, ndërsa lajmet e fundit nga klubi i Bërnlit japin sinjale pozitive për gjendjen e tij fizike. Trajneri Skot Parker ka konfirmuar se sulmuesi i Kombëtares shqiptare është rikthyer në procesin stërvitor, ndonëse për momentin po punon me intensitet të reduktuar.

“Armando është duke u stërvitur përsëri, por vetëm me stërvitje të lehtë. Është në rrugën e duhur. Do të shohim ku do të jemi përsëri në fundjavë”, u shpreh Parker, duke lënë të kuptohet se rikthimi i tij në fushë nuk është shumë larg. Fillimisht në muajin shkurt u raportua se ishte një vendim teknik i trajnerit për ta lënë jashtë ekipit, por më pas u bë e ditur se sulmuesi po përballej me një problem fizik që e mbajti larg disa ndeshjeve në Premier Ligë. Fotot e publikuara së fundmi nga klubi anglez tregojnë Brojën në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës, një sinjal i qartë se ai po afrohet drejt rikthimit të plotë në dispozicion të ekipit. Data 21 mars, kur Bërnli do të luajë në transfertë ndaj Fulham, shihet si momenti kur Broja mund të marrë sërish minuta në fushë. Ky zhvillim është një lajm shumë i rëndësishëm edhe për Kombëtaren shqiptare, pasi ndeshja ndaj Polonisë në kuadër të kualifikueseve është shumë pranë dhe trajneri Silvinjo ka nevojë për alternativa në repartin ofensiv. Situata në sulm është bërë edhe më e ndërlikuar për shkak të problemeve fizike që kanë kaluar Rei Manaj dhe Mirlind Daku.

DAKU- Pikërisht ky i fundit është rikthyer vetëm së fundmi në stërvitje pas dëmtimit që kishte pësuar që në muajin dhjetor. Daku publikoi edhe disa foto nga stërvitja, të shoqëruara me mbishkrimin “Një hap para teje”, duke dhënë një sinjal të qartë se është gati për sfidat e rëndësishme që e presin Kombëtaren shqiptare në muajin mars. Rikthimi i Brojës dhe Dakut është padyshim një lajm i mirë për Kombëtaren pasi në sfidë si ajo me Poloninë, ccdo lojtar në skuadër është një armë më shumë dhe ka vlera të shumta për sfidën. Pas një periudhe të vështirë me dëmtime dhe probleme fizike, sulmuesi shtatlartë duket se po rikthen gradualisht formën dhe pritet të jetë një nga emrat kryesorë në listën e Silvinjos për ndeshjen ndaj Polonisë, duke shtuar shpresat që Shqipëria të paraqitet me një repart ofensiv më të plotë në këtë moment delikat të eliminatoreve. Daku ishte një nga lojtarët që shënonte ndaj Polonisë në sfidën e zhvilluar në Tiranë, aty ku fituam 2-0. Sulmuesi kuqezi vulosi atë takim për t’i dhënë fitore skuadrës sonë, pasi më parë kishte shënuar Jasir Asani.

SEFERI- Ndërkohë, ndërsa disa prej sulmuesve të Kombëtares luftojnë me dëmtimet, Taulant Seferi vazhdon të tregojë formë shumë të mirë në kampionatin turk, edhe pse prej kohësh nuk është në planet e trajnerit Silvinjo. Sulmuesi shqiptar po zhvillon një sezon të shkëlqyer me fanellën e Bodrumspor në kategorinë e dytë turke, ku është shndërruar në golashënuesin kryesor të ekipit që synon ngjitjen në Superligë. Edhe në ndeshjen e fundit në transfertë ndaj Igdir, Seferi la sërish gjurmën e tij në rezultat duke gjetur rrugën e rrjetës që në minutat e para të takimit. Ai u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke realizuar me qetësi golin që i dha avantazhin e përkohshëm 1-0 skuadrës së tij. Ky ishte goli i 15-të i sezonit për Seferin, një shifër që konfirmon momentin e shkëlqyer që po kalon në kampionatin turk dhe që e vendos mes lojtarëve më produktivë të ekipit të tij. Megjithatë, pavarësisht këtij rendimenti të lartë, sulmuesi vazhdon të mbetet jashtë grumbullimeve të fundit të Kombëtares shqiptare, duke qenë disi në harresë në planet e stafit teknik gjatë kualifikueseve të Botërorit. Në të njëjtën ndeshje për Bodrumspor u bë protagonist edhe ishmesfushori i Shpresave, Omar Imeri, i cili realizoi një gol spektakolar në pjesën e dytë. Ai mori topin në gjysmëfushën e vet, përshkoi një distancë të gjatë me një sprint mbresëlënës dhe arriti deri në zonën kundërshtare për të finalizuar aksionin me një goditje të saktë, duke vulosur një moment të bukur për skuadrën e tij. Forma e mirë e Seferit dhe paraqitje të tilla vetëm sa shtojnë diskutimet nëse ai mund të marrë një tjetër mundësi në Kombëtare në të ardhmen, sidomos në një moment kur kuqezinjtë po përballen me mungesa në repartin ofensiv. Sulmuesi nga Kumanova ishte pjesë e Shqipërisë në kualifikimin për në Europian si edhe në Europian, por më pas trajneri Silvinjo vendosi ta linte jashtë duke mos e grumbulluar më për kualifikueset e Botërorit, edhe pse po shënon gola të shumtë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL



Të ndryshme
Më shumë