TV LIVE
Nga Vendi
12 March 2026
Tragjedia në “Pulse” / Komuna e Koçanit pa inspektor për mbrojtje dhe shpëtim mbi 14 vjet

Në seancën gjyqësore për zjarrin tragjik në klubin “Puls” në Koçan, një inspektor nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim nga Vinica deklaroi se në objekt janë konstatuar mangësi të rënda në standardet e sigurisë. Sipas dëshmisë së tij, në klub kishte vetëm dy aparate kundër zjarrit, ndërsa hidranti ishte i zbrazët, pa ujë, pa zorrë dhe pa gryka. Po ashtu, objekti nuk kishte sistem për alarmimin e zjarrit.

Një nga problemet më serioze që ka konstatuar gjatë inspektimit pas tragjedisë ka qenë dalja ndihmëse, e cila ka qenë e mbyllur nga brenda dhe e siguruar me dry. Dera nuk kishte dorezë dhe u thye nga zjarrfikësit për të hyrë në objekt. Ajo ishte e ngushtë, pa dritë emergjente dhe nga jashtë ishte e mbyllur me stiropor (polistiren). Edhe qasja për shërbimet emergjente ka qenë e vështirë për shkak të pengesave rreth objektit, tha dëshmitari. 

“Në daljen e pasme kishte një sipërfaqe të gjelbër si kodër dhe një gardh, gjë që nuk lejonte qasje për ndihmën e shpejtë ose zjarrfikëset.”, deklaroi dëshmitari. 

Inspektori theksoi gjithashtu se Komuna e Koçanit për më shumë se 14 vjet nuk kishte pasur inspektor për mbrojtje dhe shpëtim, pasi i fundit ishte pensionuar. Ai sqaroi se për një kontroll të jashtëzakonshëm në një komunë tjetër nevojitet urdhër me shkrim nga drejtoria e DMSh-së.

Inspektori theksoi se institucionet kanë të drejtë të ndalojnë përdorimin e një objekti nëse paraqet rrezik për sigurinë, ndërsa investitorët janë të detyruar të përgatisin dokumentacion dhe elaborat për mbrojtje nga zjarri. Nga zjarri i shkaktuar në klubin “Puls” në Koçan humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 mbetën të lënduar. Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan të pafajshëm. /RTVM2/



Të ndryshme
Më shumë