TV LIVE
Kuriozitete
12 March 2026
Kalaja e Goricës, një nga më të hershmet e zonës së Beratit

Mbi kodrën e Goricës, përballë kalasë së Beratit dhe në një kuotë më të lartë, ndodhen rrënojat e kalasë së Goricës.

Muret, të ndërtuara me blloqe gëlqerore, të punuara me kujdes dhe të vendosura në rreshta horizontale, kanë një teknikë që ngjan me atë të fazës së parë të kalasë. Format e ndërtimit, pozicioni i hyrjes dhe mënyra e lidhjes së kullave, flasin për një sistem të mirëmenduar mbrojtjeje, tipik për gjysmën e dytë të shekullit IV para erës sonë, pak më vonë se ai i Antipatreas (kalaja e Beratit).

Nga ana veriore kalaja është e mbrojtur nga shkëmbi natyral, kurse në anët e tjera është e rrethuar me mure, të cilat mund të ndiqen pothuaj në të gjithë gjatësinë e tyre. Nga teknika e ndërtimit të mureve dhe elementeve mbrojtës të tij dhe krahasimi me fortifikime të tjera, fortifikimi mund të datohet në shek. IV-III para Krishtit.

Fortifikimi i Goricës ka pasur një rol strategjik, pasi së bashku me kalanë e Beratit kontrollonte luginën e ngushtë të Osumit dhe rrugët drejt Tepelenës. Kjo kala shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1.5 hektarësh dhe përfshin mure rrethuese me gjatësi 167 metra, katër kulla mbrojtëse dhe dy hyrje. Muret, të ndërtuara me teknikën pseudoizodomike dhe gurë të mëdhenj, arrijnë trashësi deri në 3.1 metra dhe lartësi mesatare 1 metër.



Të ndryshme
Më shumë