TV LIVE
Nga Vendi
10 March 2026
150 udhëtarë janë evakuuar sot nga Dubai, 125 janë shtetas të Maqedonisë së Veriut

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se me fluturimin e sotëm nga Dubai janë evakuuar gjithsej 150 udhëtarë, nga të cilët 125 shtetas të Maqedonisë, 7 shtetas të Serbisë, 11 shtetas të Kosovës, 2 shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës, 2 shtetas të Shqipërisë, 1 shtetas i Gjermanisë, 1 shtetas i Armenisë dhe 1 shtetas i Malit të Zi, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht, në Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten rreth 200 shtetas të Maqedonisë të cilët fillimisht kanë aplikuar për evakuim, por sipas deklaratave të tyre, ata nuk shprehin gatishmëri që një gjë e tillë të ndodhë tani.

Avioni nga Dubai pritet të ulet në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit rreth orës 20:00 sipas kohës lokale.

“Lidhur me evakuimin nga Riadi, i cili është planifikuar për nesër, informojmë se janë regjistruar gjithsej 153 pasagjerë për t’u nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Riadi – King Khaled. Nga këta, 9 janë nga Arabia Saudite, 15 nga Bahreini, 96 nga Katari dhe 33 nga Kuvajti. Duke qenë se vendi ynë nuk ka lidhur marrëveshje për trafikun ajror me Mbretërinë e Arabisë Saudite, avioni është planifikuar të ulet në aeroportin e Prishtinës, pas së cilës do të organizohet transporti i pasagjerëve për në Shkup”, thuhet në njoftimin e MPJTJ-së.

Ministria shton se i gjithë organizimi i fluturimeve, përfshirë të gjitha kostot përkatëse, mbulohet nga Qeveria përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.

Përkeqësimi i situatës së sigurisë në Iran lidhet drejtpërdrejt me tensionet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që janë intensifikuar ditët e fundit. Autoritetet iraniane u kanë bërë thirrje disa ambasadorëve të huaj për sqarime, duke i akuzuar se mbështetja e tyre publike për protestuesit përbën “ndërhyrje të papranueshme” në punët e brendshme të vendit. Këto reagime vijnë në një kohë kur protestat dhe pakënaqësitë sociale kanë nxitur masa të shtuara sigurie, rritje të pranisë policore dhe kufizime të mundshme për lëvizjen e qytetarëve dhe të huajve në disa zona.

Në të njëjtën kohë, situata është tensionuar edhe më shumë nga përplasjet politike dhe kërcënimet në planin ndërkombëtar, veçanërisht mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Administrata amerikane ka diskutuar hapur opsione ushtarake dhe masa të tjera presioni ndaj Teheranit, ndërsa presidenti Donald Trump ka deklaruar se Irani ka kërkuar bisedime pas kërcënimeve ushtarake të SHBA-së.

Kjo klimë pasigurie, e shoqëruar me rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, ka shtyrë shumë shtete të rishikojnë udhëzimet e udhëtimit dhe të apelojnë për largimin e qytetarëve të tyre, përfshirë edhe thirrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.



Të ndryshme
Më shumë