Pavarësisht se të pakta në numër, arti shqiptar ka pasur një përfaqësim dinjitoz. Rasti i Androniqi Zengo-Antoniu dhe motrës së saj Sofia Zengo Papadhimitri e vërteton këtë fakt. Ato i erdhën vonë pikturës shqiptare, por lanë një kontribut të rëndësishëm brenda dhe jashtë vendit, ndërsa cilësohen si piktoret e para shqiptare.
Të lindura në Korçë dhe të shkolluara në Athinë, ato spikatën në pikturë, talent i marrë nga babai i tyre. Ndërsa Sofia Zengo u bë më e njohur brenda vendit, puna e Androniqit kaloi kufijtë, duke marrë pjesë në dy ekspozita: në 1939 në Nju Jork dhe në 1963 ekspozoi në Bienalen e Aleksandrisë, ku u vlerësua me dy medalje, shkruan mapo.
Gjatë forumit “Gruaja në qendër”, në kuadër të projektit të Institutit Liberal Pashko, “100 gra në pikturën shqiptare”, i cili do të finalizohet me botimin e një katalogu të detajuar për punën e artisteve shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare, historiania Nevila Nika tha se qeveria e asaj kohe sponsorizoi për ta çuar Androniqi Zengo-Antoniu në Nju Jork.
“Në vitet ’30 kërkoi të shkonte në ekspozitën botërore të pikturës në Nju Jork dhe qeveria sponsorizoi për ta çuar këtë grua atje.”
E fokusuar te portretet dhe peizazhet impresioniste, Androniqi Zengo-Antoniu njihet si piktorja e parë profesioniste e Shqipërisë. Pikërisht autoportreti i saj është përzgjedhur nga kuratori Abaz Hado në katalogun “100 gra në pikturën shqiptare”, si një nismëtare e rëndësishme e rrugëtimit të gruas shqiptare në pikturë.