TV LIVE
Nga Rajoni
4 March 2026
Më pak se 48 orë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, paralajmërohet seancë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin presidentin e ri të vendit jo më vonë se më 5 mars në orën 23:59.

Kryesuesi i Komisionit Parlamentar për Buxhet në Kuvendin e Kosovës, Enver Haliti, tha të mërkurën se mbledhja e komisionit ka nisur në orën 09:00 sot, për shkak se mund të thirret seanca për votimin e presidentit gjatë ditës se sotme. Mbledhja e komisionit ishte paraparë të niste në orën 10:00.

Deri më tani asnjë kandidaturë nuk është zyrtarizuar. Lëvizja Vetëvendosje si parti që ka shumicën parlamentare nuk ka nxjerrë asnjë kandidat, ndonëse flitet që një prej tyre mund të jetë Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme.

Në anën tjetër, të shtunën, Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar që presidenti të zgjidhet nga propozimi i tyre.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën tha se me 15 deputetë nuk mund të nxjerrin kandidat për president.

Në javën e fundit janë zhvilluar takime ndërpartiake.

Kryeministri Albin Kurti ka takuar dy herë kreun e PDK-së, Bedri Hamzën e tre herë ka takuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Pas takimeve me LDK-në, Kurti të martën tha se ende nuk është arritur zgjidhja, e nga LDK-ja thanë që janë dy opsione, kandidat koncensual ose marrëveshje politike, ku LDK-ja dhe LVV-ja do nxirrnin një kandidat.



Të ndryshme
Më shumë