Kërkohej një mrekulli, një përmbysje e madhe, por në fund Barça krijoi vetëm një iluzion, i shkoi shumë pranë, realizuan 3 gola, por “muri” i Atletico Madrid rezistoi deri në fund, me ekipin e Simones që “fluturon” në finale falë fitores 4-0 në sfidën e parë.
Në “Camp Nou”, ashtu siç pritej, Barça e nisi ndeshjen në sulm, me Yamal që dhuroi një asist të pastër për Bernal në minutën e 29-të, me mesfushorin spanjoll që e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur. Në limitet e pjesës së parë, Barça fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Raphinha u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat.
Të shtyrë dhe nga tifozët, Barça nuk hoqi dorë nga faza ofensive dhe në minutën 72-të, Bernal u tregua edhe një herë i saktë duke konvertuar në gol asistin e Cancelo-s. Për fat të keq, “dopieta” e Bernal vetëm sa mbajti ambientin të karikuar, por në fund festa ishte e gjitha për Atletico Madrid që siguron një biletë për në finale aty ku më 18 prill do të përballen me fituesin e çiftit Real Sociedad-Athletic Bilbao.
Pavarësisht këtij eliminimi, Flick dhe djemtë e tij largohet me kokën lart, fakt që e pranon edhe tekniku gjerman: “Jemi të zhgënjyer, por edhe krenar për atë që pamë. Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme, krijuam shumë raste, por në fund nuk ndodhi ajo që të gjithë prisnim. Pas dy humbjeve kundër Atletico dhe Girona, kemi folur shumë në dhomat e zhveshjes. Mendoj se skuadra reagoi, të gjithë ishin fantastik”, u shpreh Hansi Flick.