Mbi 150 shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar ndihmë për evakuim nga Izraeli, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme.
Sipas informacioneve zyrtare, qytetarët janë paraqitur pranë përfaqësive diplomatike dhe përmes linjave emergjente të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke kërkuar asistencë për kthim të sigurt në vend. Autoritetet bëjnë të ditur se po koordinojnë aktivitetet me ambasadat partnere dhe institucionet ndërkombëtare për organizimin e korridoreve të sigurta të largimit.
Një pjesë e shtetasve ndodhen në Izrael, ku situata e sigurisë mbetet e tensionuar, ndërsa të tjerë janë në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për arsye pune apo qëndrime të përkohshme dhe kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në rajon.
Ministria e Punëve të Jashtme ka apeluar që të gjithë shtetasit e RMV-së që ndodhen në zonat e prekura të regjistrohen pranë përfaqësive diplomatike dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare, ndërsa theksohet se po shqyrtohen të gjitha opsionet për evakuim të organizuar nëse situata përkeqësohet më tej.
Autoritetet pritet të publikojnë informacione shtesë gjatë orëve në vijim lidhur me hapat konkretë dhe afatet e mundshme të kthimit të qytetarëve në vend.