TV LIVE
Nga Vendi
2 March 2026
Ndahet nga jeta historiani dhe profesori i njohur Halim Purelku – një zë i rëndësishëm i historiografisë shqiptare në Maqedoni

Halim Purelku, është i lindur më 5 nëntor 1952 në fshatin Tuhin, Kërçovë, ishte një ndër zërat e historiografisë shqiptare në Maqedoni, i njohur për përkushtimin e tij shkencor, qasjen kritike dhe kontributin e çmuar në ndriçimin e periudhave të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Studimet universitare dhe pasuniversitare i përfundoi në Fakulteti Filozofik në Prishtinë ndërsa në vitin 1999 mbrojti doktoratën me temë mbi rrethanat politike dhe ushtarake në trevat lindore shqiptare gjatë viteve 1912–1918.

Karrierën e tij arsimore e nisi si profesor në Kaçanik dhe në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, për të vijuar më pas si ligjërues dhe profesor i asociuar në Universiteti Shtetëror i Tetovës. Në këtë institucion ai kontribuoi ndjeshëm në formimin akademik të brezave të rinj të historianëve dhe në hartimin e programeve mësimore të historisë për arsimin e mesëm në gjuhën shqipe.

Veprimtaria e tij shkencore ishte e përqendruar kryesisht në ndriçimin e rrethanave politike, shoqërore dhe ushtarake në trevat e Kërçovës, Dibrës, Strugës dhe Gostivarit, duke synuar të plotësojë boshllëqet e historiografisë zyrtare mbi rolin e popullsisë shqiptare në këto hapësira. Ai trajtoi me thellësi periudhën 1918–1941, duke analizuar proceset e kolonizimit, asimilimit dhe rezistencës, si dhe lëvizjen kaçake, të cilën e interpretoi në kontekstin e saj nacional-çlirimtar.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme veçohen studimet “Kërçova mes dy luftërave botërore (1918–1941)” dhe “Rrethanat politike dhe ushtarake në trevat lindore shqiptare (1912–1918)”, që mbeten referenca të domosdoshme për studiuesit e kësaj periudhe.

Me ndarjen e tij nga jeta, historiografia shqiptare humb një studiues të palodhur, një pedagog të përkushtuar dhe një intelektual me integritet të lartë shkencor e kombëtar. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten frymëzim për brezat që do të vijnë.



Të ndryshme
Më shumë