Edhe pse pritej që përgjigje për këtë të kërkonte opozita, megjithatë Lupço Prenxhov nga radhët e VMRO-DPMNE-së i parashtroi pyetje kryeministrit Mickoski nëse është e vërtetë ajo që akuzon LSDM-ja opozitare se ka pasur marrëveshje mes tij dhe BDI-së që Artan Grubi fillimisht të lihej të arratisej, e më pas të kthehej. Mickoski u përgjigj se për këtë nuk ka asnjë logjikë, pasi ai në të kaluarën ka qenë vazhdimisht cak i Artan Grubit, dhe se të shqetësuar për këtë tani është LSDM-ja.
“Atyre që ndërgjegjja u punon, janë të shqetësuar, flenë vështirë, janë nervozë, kjo shihet nga shprehjet e fytyrës në konferencat për shtyp, shqetësimi e bën të vetën, tani thonë po vjen fundi. Dhe kur vjen fundi ata përpiqen si mace të të hidhen në sy, por kanë harruar se ne jemi luanë. Dhe të tillët si ata do të përgjigjen”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Për kthimin e Artan Grubit, edhe pse nuk u pyet, foli edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov.
“M’u desh pak kohë të kuptoj se nga çfarë buron kjo histeri që në periudhën e kaluar u prodhua nga parti të caktuara politike, por pas atij episodi “Artan po kthehet në shtëpi”, gjërat janë shumë më të qarta”, pohoi Igor Filkov – ministër i Drejtësisë.
Dijana Toska nga BDI i tha Fillkovit që të mos përzihet në punën e gjykatave dhe Prokurorisë.
“I nderuar ministër, mjaft e përmendni Artanin, ai u kthye, u dorëzua vullnetarisht dhe ju lutem lejoni organet gjyqësore dhe Prokurorinë ta bëjnë punën e tyre. Mos u përzieni në ato punë, përveç nëse jeni mësuar të përziheni”, tha Dijana Toska – Deputete Fronti Europian.
Me një mesazh të tillë doli edhe kryetari i Kuvendit Afrim Gashi pas brifingut të sotëm me gazetarët.
“Është koha e fundit të ndalojmë së përzieri në gjyqësor. Ai perceptim te qytetarët se ka ndonjë marrëveshje lë ndjenjë të keqe te të gjithë qytetarët, kështu që mesazhi im do të ishte që më në fund çdo institucion ta kryejë punën e vet, në këtë pjesë gjyqësori dhe prokuroria kanë proces, le ta kryejnë punën e tyre me ndërgjegje dhe profesionalizëm”, u shpreh Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.
Pas kthimit në vend, Artan Grubi ndodhet në paraburgim shtëpiak, pasi gjykata vendosi që ta anulojë ndryshojë vendimin për paraburgim efektiv, gjë që shkaktoi reagime në opinion.