TV LIVE
Nga Rajoni
18 February 2026
“Korridori VIII, kyç për të forcuar shtyllën europiane të NATO-s”, deklarata e përbashkët e ministrave në Tiranë: Projekt me domethënie strategjike dhe ekonomike

Në përfundim të Ministerialit për Korridorin VIII që u mbajt sot në Tiranë dhe u udhëhoq nga ministrja Elisa Spiropali, ministrat e Jashtëm të pranishëm në përfundim dolën më një deklaratë të përbashkët për projektin.

Në deklaratë ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Italisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë theksuan rëndësinë strategjike, politike dhe ekonomike të Korridorit VIII.

Deklarata e Përbashkët e Krerëve të Delegacioneve Pjesëmarrëse në Ministrialin e Korridorit VIII në Tiranë:

Ne, Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bullgarisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë,

Duke risjellë në vëmendje përfundimet e Takimit të Parë Ministror të mbajtur në Brindisi më 27 korrik 2023, diskutimet pasuese të Ministrave të Jashtëm në Bruksel në dhjetor 2025, si dhe Letrën e Qëllimit të nënshkruar në Samitin e Uashingtonit 2024 për krijimin e një Korridori të Harmonizuar të Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë Korridorit Pan-Evropian VIII;

Të udhëhequr nga parimet e Traktateve të Bashkimit Evropian, procesi i zgjerimit të BE-së, kuadri TEN-T dhe angazhimet në kuadër të NATO-s;

Duke rikonfirmuar angazhimin tonë për bashkëpunim të ngushtë dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe duke e konsideruar Korridorin VIII si një bosht strategjik Lindje–Perëndim që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi dhe si një komponent thelbësor të rrjetit TEN-T, që kontribuon në stabilitetin, prosperitetin dhe sigurinë në Evropën Juglindore.

KONTEKSTI STRATEGJIK DHE POLITIK

Ritheksojmë se Korridori VIII ka domethënie strategjike me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë, duke kontribuar në kohezionin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian;

Nënvizojmë se zbatimi i koordinuar dhe në kohë i Korridorit VIII adreson boshllëqet e kahershme të ndërlidhjes në Evropën Juglindore, duke rritur njëkohësisht besueshmërinë, vizibilitetin dhe ndikimin e prekshëm të angazhimit të shtuar të BE-së për integrimin e plotë të rajonit në hapësirën e përbashkët evropiane të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit;

Theksojmë se ky projekt strategjik infrastrukturor përbën një kuadër kyç për ndërtimin e besimit politik, forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe thellimin e kontakteve ndërmjet njerëzve, veçanërisht mes të rinjve;

Dënojmë fuqishëm luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe mbështesim përpjekjet ndërkombëtare politike dhe diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje që i jep fund konfliktit, duke hapur rrugën për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe për një të ardhme prosperiteti për Ukrainën dhe popullin e saj.

INTEGRIMI EKONOMIK DHE NDËRLIDHJA

Njohim rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, në përputhje me katër liritë e Bashkimit Evropian, si një shtysë kyçe për rritje të qëndrueshme, konkurrueshmëri dhe konvergjencë ekonomike;

Pranojmë se Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Detit të Zi përbëjnë tregje dhe zona tranziti të rëndësishme për tregtinë europiane dhe ndërkombëtare;

Nënvizojmë se Korridori VIII është një projekt themelor infrastrukturor që lehtëson flukset tregtare, përmirëson efikasitetin logjistik dhe forcon zinxhirët rajonalë dhe europianë të furnizimit. Duke lidhur kapacitetet prodhuese dhe tregjet e punës, ai nxit ndërvarësinë ekonomike, duke rritur njëkohësisht qëndrueshmërinë rajonale, përfshirë në kohë krize dhe emergjencash;

Biem dakord se investimet në infrastrukturë të qëndrueshme, rezistente dhe të ndërveprueshme, në përputhje me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe me Planin e Rritjes, janë thelbësore për të mbështetur integrimin gradual të rajonit në Tregun e Unik të BE-së;

Theksojmë se ndërlidhja ndërmodale është thelbësore për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe gjenerimin e rritjes së përbashkët përmes rritjes së konkurrueshmërisë, mbështetjes së dekarbonizimit dhe ofrimit të përfitimeve të prekshme përmes bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik dhe institucional në të gjithë Rajonin.

SIGURIA, QËNDRUESHMËRIA DHE LËVIZSHMËRIA USHTARAKE

Rikonfirmojmë angazhimin tonë të fortë ndaj Korridorit VIII si prioritet për rritjen e lëvizshmërisë ushtarake, qëndrueshmërisë dhe ndërlidhjes, në kuadër të bashkëpunimit të forcuar BE–NATO, duke kontribuar drejtpërdrejt në sigurinë e krahëve juglindorë dhe lindorë të Aleancës, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë krize dhe konflikti;

Theksojmë se përmirësimi i ndërlidhjes dhe mbrojtja e infrastrukturës përgjatë Korridorit VIII kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e Planit Rajonal të NATO-s dhe forcojnë aftësinë kolektive për të mbrojtur infrastrukturën kritike, si dhe për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, dezinformimit, migracionit të parregullt dhe ndikimit keqdashës të palëve të treta, në një mjedis sigurie ku zhvillimet përgjatë kufijve lindorë të Europës kanë implikime të drejtpërdrejta për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, Detit të Zi dhe Mesdheut, të cilat mbeten me rëndësi strategjike për NATO-n;

ZBATIMI DHE HAPAT E MËTEJSHËM

Rikonfirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta shndërruar Korridorin VIII në një arterie strategjike të ndërlidhjes europiane, zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit, duke e mbajtur atë si prioritet në agjendën politike si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë europian, si dëshmi e përgjegjësisë së përbashkët, angazhimit afatgjatë dhe vizionit të përbashkët strategjik për rajonin;

Angazhohemi të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për mobilizimin e burimeve financiare nga instrumentet e BE-së, përfshirë Connecting Europe Facility (CEF), IPA III dhe Ëestern Balkans Investment Frameëork (ËBIF), si dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe partneritetet publike-private;

Biem dakord të konsolidojmë këtë format pesë palësh, si një platformë të strukturuar politike të nivelit të lartë për dialog dhe bashkëpunim, si dhe të vijojmë konsultimet e rregullta politike dhe teknike për të avancuar me shpejtësi Korridorin VIII si një bosht plotësisht funksional, të qëndrueshëm dhe të integruar të ndërlidhjes dhe sigurisë europiane.



Të ndryshme
Më shumë