TV LIVE
Nga Bota
12 February 2026
Tragjedi në Sudanin verior/ Mbytet anijeja në Nil, 21 viktima

Një tragjedi e rëndë ka goditur Sudanin verior, ku të paktën 21 persona kanë humbur jetën pas mbytjes së një anijeje në lumin Nil mbrëmjen e së mërkurës. Autoritetet lokale njoftuan se deri më tani janë gjetur 21 trupa, pa dhënë ende detaje mbi shkaqet e aksidentit. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e personave të zhdukur. Sipas dëshmitarëve që folën për AFP, varka mbante rreth 30 persona kur u përmbys mes fshatrave Taiba al-Kawad dhe Deim al-Qarai, pranë qytetit Sendi, rreth 200 kilometra në veri të kryeqytetit Khartum. Gjashtë persona arritën të shpëtohen.

Në një reagim në Facebook, autoritetet e shtetit të Nilit e cilësuan ngjarjen si një “tragjedi të tmerrshme humanitare”, duke theksuar se ajo nxjerr në pah cenueshmërinë e transportit lumor dhe mungesën e masave bazë të sigurisë. Ata u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për të shmangur përsëritjen e fatkeqësive të tilla. Shumë sudanezë varen nga anije të vogla të operuara nga individë privatë për transportin lumor, ndërkohë që infrastruktura e vendit është dëmtuar rëndë pas më shumë se tre vitesh lufte.

Një ngjarje e ngjashme u regjistrua edhe në korrik të vitit 2024, kur rreth 20 persona që përpiqeshin t’i shpëtonin luftimeve humbën jetën pas mbytjes së një tjetër anijeje në Nil, në shtetin juglindor të Shinarit. Konflikti i armatosur mes ushtrisë së rregullt dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, që prej prillit 2023, ka shkaktuar mbyllje rrugësh dhe përkeqësim të thellë të shërbimeve publike, duke e bërë edhe më të rrezikshëm transportin për qytetarët.



Të ndryshme
Më shumë