TV LIVE
Nga Rajoni
10 February 2026
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë: Revoltë ndaj kërkesës për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë u pozicionua sot me frymë kritike ndaj asaj që po ndodh në Gjykatën e Hagës. Ministri Pirro Vengu flet për revoltim nga situata:

"Revolta ndaj kërkesës për dënime maksimale për ish-drejtuesit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – buron nga kërkesa që drejtësia të jetë e ndershme dhe historikisht e përgjegjshme", thotë ai.

Ndërsa shton: "Paraburgimi mbi pesë vjet dhe natyra e akuzave janë kthyer në instrument për të përmbysur dallimin mes agresorit dhe viktimës, ndërsa krimet e dokumentuara të aparatit shtypës serb ndaj shqiptarëve të Kosovës mbeten të pandëshkuara.

Është evidente se përpjekja për të barazuar çlirimtarët tanë me gjenocidarët e Srebrenicës mbështetet në akuza të fabrikuara me ndikimin rus mbi Këshillin e Europës.

Kjo padrejtësi e institucionalizuar rihap plagë historike dhe minon besimin e popujve në institucionet e paqes. Në këtë formë, gjykatat ndërkombëtare po delegjitimojnë të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e vetëvendosjes së popujve.

E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen vetëm mbi drejtësi të besueshme, të paanshme dhe historikisht të përgjegjshme – jo mbi barazimin e çlirimtarëve me gjenocidarët". /noa.al



Të ndryshme
Më shumë