Një peticion online ka nisur të qarkullojë duke i bërë thirrje UNESCO-s që plisi shqiptar të njihet zyrtarisht si pasuri kulturore dhe të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Nënshkruesit argumentojnë se një hap i tillë do të ishte një vlerësim i merituar për një simbol të lashtë të identitetit kombëtar.
Sipas nismëtarëve, njohja ndërkombëtare e plisit do të ndihmonte jo vetëm në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore te brezat e ardhshëm, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për vlerat shqiptare në arenën globale.
Ata theksojnë se plisi rrezikon të margjinalizohet për shkak të mungesës së përfaqësimit zyrtar në institucionet ndërkombëtare të trashëgimisë.
Plisi, i përdorur nga shqiptarët prej shekujsh, përfaqëson vazhdimësinë historike, traditën dhe lidhjen mes brezave. Ai shihet si një element që forcon ndjenjën e unitetit dhe krenarisë kombëtare, duke qenë pjesë e pandashme e identitetit kulturor shqiptar.
Peticioni u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen me nënshkrimin e tyre, në mënyrë që kërkesa për njohjen e plisit nga UNESCO të marrë mbështetje sa më të gjerë dhe të kontribuojë në mbrojtjen e kësaj trashëgimie për shqiptarët dhe për komunitetin global.