TV LIVE
Nga Vendi
9 February 2026
Blerant Ramadani jep dorëheqje nga Aleanca për Shqiptarët: Vendimi vjen pas reflektimit mbi parimet që më udhëheqin si njeri

Blerant Ramadani ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga pozita e Sekretarit Gjeneral të Aleancës për Shqiptarët dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiak, shkruan TV21. Ramadani tha se ky vendim vjen pas reflektimit mbi parimet që e udhëheqin si njeri dhe si profesionist, por siç tha “ky vendim nuk është një lamtumirë, por një ripozicionim”.

“Prandaj, njoftoj tërheqjen time nga pozita e Sekretarit Gjeneral dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiake. Ky vendim vjen si rrjedhojë e një reflektimi të thellë mbi parimet që më udhëheqin si njeri dhe si profesionist.

Dua të jem transparent me ju deri në fund: në mbledhjen e fundit të kryesisë, vota ime ishte dhe mbetet KUNDËR dorëheqjes kolektive.

Kjo votë nuk ishte mospajtim, por botëkuptim. Si inxhinier, unë besoj te strukturat që ngrihen mbi themele të forta, jo te logjika e rrëzimit për të rifilluar nga e para. Unë besoj te stabiliteti.

Megjithatë, demokracia është arti i respektimit të shumicës. Unë e pranoj këtë realitet dhe zgjedh të liroj rrugën me dinjitet, duke mbetur konsekuent në qëndrimet e mia.

Nga sot e tutje, energjinë time do ta kanalizoj aty ku vendi ka nevojë jetike: te Shkenca dhe Zhvillimi Strategjik. Kjo nuk është një lamtumirë nga idealet tona, por një bindje e thellë se një vend nuk lartësohet nga retorika e ditës, por nga forca e pakontestueshme e dijes dhe kompetencës.

Dhe për fund, por më e rëndësishmja, për SARAJIN: ajo që ndërtuam bashkë nuk matet me poste. Mbështetja juaj, ajo votë e pastër dhe e sinqertë që më dhuruat, është fitorja ime morale më e madhe. Atë besim e ruaj si kapitalin më të çmuar, si dëshmi se kur politika bëhet me zemër, njerëzit dinë të rreshtohen drejt”, ka shkruar Ramadani në rrjetin e tij social Facebook.



Të ndryshme
Më shumë