Dhimitër Ziko — Burimi : Le Journal de Biarritz et de la Côte Basque, e enjte, 23 dhjetor 1954, f.3
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 shkurt 2026
Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watching
“Le Journal de Biarritz et de la Côte Basque” ka botuar, të enjten e 23 dhjetorit 1954, në faqen n°3, historinë asokohe të Dhimitër Zikos, shqiptarit që pikturoj portretin e Winston Churchill-in me kostum bask, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
E njihni ?... Dhimitër Ziko, dekorator, portretist dhe poliglot

Burimi : Le Journal de Biarritz et de la Côte Basque, e enjte, 23 dhjetor 1954, f.3
Dhimitër Ziko është padyshim një nga figurat më të njohura, më të pëlqyeshme dhe më piktoreske në Biarritz-in e sotëm.
Ashtu si shumë nga bashkëqytetarët e tij, ai lindi larg Biarritz-it, në fakt shumë larg, në Tiranë, kryeqytetin e Mbretërisë (sot Republika Popullore) të Shqipërisë. Dhuntitë e tij e destinuan atë për pikturë. Ai udhëtoi për t’u perfeksionuar.
Ai studioi në Shkollën e Arteve të Bukura të Athinës (djepi i Arteve), pastaj udhëtoi nëpër Rusi. Ishte në fillim të revolucionit, udhëtimet nuk ishin të lehta ; për t’u kthyer në Shqipëri, atij iu desh të bënte një devijim nëpër Mançuri dhe Kinë.
Me t’u kthyer në atdhe, ai dizajnoi pullën postare dhe monedhat e para me imazhin e Mbretit Ahmet Zogu, të cilat i siguruan një bursë për të studiuar në Paris. Prej andej, ai shkoi në Biarritz, i punësuar nga Société des Cinémas de la Côte Basque si dizajner posterash. Ai u ndje aq mirë atje sa që vendosi të qëndrojë.
Biarritz-i e përqafoi këtë shqiptar të gëzuar dhe mirëdashës. Po aq sa talentin, miqtë e tij e vlerësonin humorin e tij të vazhdueshëm dhe sinqeritetin. Ziko nuk i fshehu kurrë ndjenjat e tij, të cilat pothuajse i kushtuan shtrenjtë. Ai u arrestua për “vërejtje përçmuese” për ushtrinë gjermane. Por ylli i tij me fat e çoi në burgun Château-Neuf në Bayonne, ku qëndroi për shtatë muaj... dhe ku pikturoi 45 portrete. I mbyllur brenda katër mureve, Ziko gjeti një mënyrë për të siguruar jetesën për familjen e tij. Është e vërtetë që drejtori i burgut francez bëri çmos për të favorizuar bashkëqytetarët e tij, dhe Ziko, francez në zemër, konsiderohej një prej tyre. Ziko nuk e ka harruar. Në Bordeaux, ku punon tani, drejtori i burgut herë pas here merr vizita miqësore nga ish-i burgosuri i tij.
Ziko është piktori i sipërfaqeve të mëdha, skenografisë së teatrit dhe tabelave të mëdha reklamuese që të gjithë në Biarritz e njohin.
Ai më parë firmosi dekorimin e kabaresë “La Venta”, në Kazinonë Bashkiake, dhe Suzanne Raymond gjeti tek ai një bashkëpunëtor të çmuar kur nisi rinovimin e Kazinosë Bellevue.
Si portretist, Ziko zgjodhi personalitete të shquara, duke përfshirë Papa Piun XII, Winston Churchill (me kostum bask) dhe shumë të tjerë. Portretet e tij me bojëra uji (akuarel), të vizatuara dhe të përgatitura me shumë kujdes, janë të jashtëzakonshme për mjeshtërinë e tyre. Në fakt, në akuarel ai jep më të mirën e vetvetes. Ai ekspozoi veprat e para pesë vjet më parë. Njerëzit e njihnin gëzimin relativisht “Rabelais-ien” të Zikos. Ata u habitën kur panë kaq shumë freski dhe poezi të thjeshtë në shprehjen e tij.
Një udhëtar me përvojë, Dhimitër Ziko është poliglot. Kur u vendos në Biarritz, ai fliste rrjedhshëm shqip, frëngjisht, greqisht, rusisht, italisht dhe gjuhë të tjera, të cilave tani u shton edhe gjuhën gaskone. Por ai pranon se pavarësisht përpjekjeve të tij, nuk ka mundur të mbajë mend më shumë se dhjetë fjalë baske.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1954-historia-e-dhimiter-zikos-shqiptarit-qe-pikturoj-portretin-e-winston-churchill-it-me-kostum-bask/. Në rast të kundërt mos e publiko.