Një lajm i trishtë ka tronditur mëngjesin e sotëm banorët e Reçicës së Madhe dhe mbarë opinionin në Tetovë. Në moshën 25-vjeçare, pas një beteje me një problem të papritur shëndetësor, ka ndërruar jetë i riu Salajdin Bajrami.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarë dhe miq të të ndjerit, të cilët përmes rrjeteve sociale kanë shprehur dhimbjen e tyre të thellë për humbjen e parakohshme të djaloshit që njihej për urtësinë dhe mirësinë e tij.
Salajdini, i cili kishte të gjithë jetën përpara, nuk arriti t’i mbijetonte komplikimeve shëndetësore, duke lënë pas një boshllëk të madh te prindërit, familja dhe rrethi i gjerë shoqëror.
Reçica e Madhe sot është në zi për humbjen e një prej bijve të saj më të mirë.
Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të bëhet sot pas namazit të iqindisë, ku miq dhe të afërm do t’i japin lamtumirën e fundit në varrezat e fshatit.
Redaksia jonë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bajrami për këtë humbje të madhe. Shpirti i tij u prehtë në paqe!