TV LIVE
Sport
7 February 2026
Si erdhi topi i parë në Kosovë, rrëfimi që pak kush e di

Pak kush në Kosovë e ka ditur kur nisi të luhet futbolli në vendin tonë.

Edhe më të rrallë janë ata që e dinë se kush e solli topin e parë të këtij sporti.

Por, ky detaj unik nuk i iku zyrtarit të FIFA-s, Rolf Tanner.

Ai ishte caktuar të vijë në kuvendin zgjedhor të FFK-së dhe vendosi të përgatitet mirë për fjalimin që do ta mbante.

Derisa hulumtonte për historinë e futbollit në Kosovë, zbuloi kush dhe kur e solli të parin top këtu.

Sipas tij, edhe klubet e para u themeluan në Prishtinë dhe rreth saj, pak vite pas ardhjes së topit të parë në Kosovë.

“Po ky është i vetmi shënim, e vetmja datë që përmendet, sepse në futbollin e Kosovës nuk ka shumë dokumente të asaj kohe kur ka ardhur topi i parë, kur janë formuar klubet e para. Kështu që data 1919 është data kur përmendet se disa studentë që kanë studiuar në Francë, në qytetin e Grenoble, e kanë sjellë një top dhe ajo merret si topi i parë që ka ardhur në Kosovë, e kanë sjellë në Prishtinë”, tha ai.

Brovina thekson se klubet e para të futbollit në vend janë krijuar para Luftës së Dytë Botërore. Klubi i “Prishtinës” u bë i pari, më 1922, ndërsa më pas lindën edhe “Vllaznimi”, më 1927 dhe “Trepça”, më 1932.

“Para Luftës së Dytë Botërore, sepse janë datat e klubeve kur janë formuar, për shembull Prishtina figuron 1922, edhe disa klube të tjera, Trepça '32-shin, Vllaznimi 1927. Mirëpo këto kanë qenë si shoqëri sportive, kulturore, kanë luajtur herë pas here, por garat e organizuara të futbollit nuk ka pasur. Garat e organizuara të futbollit në Kosovë fillojnë mbas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1945 dhe deri tani. Kampioni i parë ka qenë Jedinstvo i Prishtinës, ashtu është quajtur atëherë, bile dy herë me radhë dhe pastaj të tjerat”, thotë Brovina.

Ndeshjet, në atë kohë, sipas Brovinës luheshin në fusha të improvizuara. Një tjetër problem madhor sipas tij, ishte mungesa e kuadrove të kualifikuara, e në radhë të parë trajnerëve, të cilët, sic thotë, në shumë raste duhej të “importoheshin” nga vise të tjera të rajonit.



Të ndryshme
Më shumë