Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh mbështetje të plotë dhe të pakursyer për studentët shqiptarë të fakulteteve juridike, të cilët me të drejtë kërkojnë respektimin e barazisë gjuhësore dhe kushtetuese në sistemin e drejtësisë.
Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, sipad BDI-së, i drejtuar nga Igor Filkov, për të refuzuar zyrtarisht peticionin e studentëve dhe për të lejuar dhënien e provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, përbën një hap serioz prapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe një barrierë të drejtpërdrejtë për përfaqësimin e barabartë në sistemin gjyqësor.
“Arsyetimet e dhëna nga Ministria, të mbështetura në interpretime selektive të ligjeve dhe në hierarki të njëanshme ligjore, janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe me standardet evropiane të barazisë dhe mosdiskriminimit. Ky vendim nuk është vetëm një çështje teknike apo administrative, por ka pasoja të drejtpërdrejta politike, shoqërore dhe institucionale, duke e kthyer gjuhën në filtër për profesionin e juristit dhe duke pamundësuar avancimin e kuadrove shqiptare në sistemin e drejtësisë”.
BDI rikujton se pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjatë qeverisjes së kaluar, ishte përgatitur një zgjidhje ligjore që e mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, por shumica aktuale qeveritare e hoqi atë nga procedura e miratimit, pa asnjë shpjegim plotësues, duke mos e rikthyer asnjëherë më për miratim.
“BDI kërkon përgjigje të qartë dhe publike: A është ky një qëndrim individual i ministrit Filkov, apo qëndrim zyrtar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut? Nëse është qëndrim i Qeverisë, a është marrë ky vendim me konsensus të plotë dhe a janë pajtuar me të edhe ministrat shqiptarë? A e ka ndërmend Qeveria që, qoftë edhe një herë, të respektojë dygjuhësinë e sanksionuar me Kushtetutë dhe ligj? Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se çdo tentativë për relativizimin e statusit të gjuhës shqipe përbën shkelje të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin ndëretnik dhe orientimin evropian të vendit”.
Ne, thuhet më tej në reagim, qëndrojmë përkrah studentëve dhe kërkesave të tyre legjitime dhe do të ndërmarrim të gjitha veprimet politike dhe institucionale për të garantuar barazi reale, jo simbolike, në sistemin e drejtësisë.
“Barazia gjuhësore nuk është privilegj, është e drejtë kushtetuese dhe ligjore”. (koha.mk)