Brajan Gruda është zyrtarisht lojtar i RB Leipzig. Sulmuesi me origjinë shqiptare ka mbyllur aventurën e tij te Brighton për të nisur një kapitull të ri në Bundesligë, duke u transferuar te klubi gjerman gjatë merkatos së dimrit.
Në fjalët e para si futbollist i Leipzig, Gruda nuk e fshehu entuziazmin për këtë hap të rëndësishëm në karrierë, duke theksuar se ishte i vendosur për këtë zgjedhje sapo u krijua mundësia e transferimit.
“E dija që doja të bashkohesha me RB Leipzig sapo u bë e qartë se një transferim dimëror ishte i mundur për mua. Leipzig nuk është vetëm një klub absolutisht i shkëlqyer në Gjermani, por edhe stili i lojës më përshtatet në mënyrë të përkryer”, u shpreh sulmuesi.
Gruda zbuloi gjithashtu se kontaktet me klubin gjerman kishin qenë të vazhdueshme edhe më parë, çka e ka bindur plotësisht për projektin sportiv:
“Ka pasur kontakte të rregullta mes meje dhe RB Leipzig në të kaluarën. Kjo më jep një ndjesi shumë të mirë dhe tregon se klubi beson realisht në aftësitë e mia dhe më dëshironte fort në ekip.”
Sulmuesi me origjinë shqiptare ndihet gati për këtë aventurë të re dhe synon të kontribuojë menjëherë: “Ndihem në formë të shkëlqyer, njoh tashmë disa nga shokët e rinj të ekipit nga kombëtarja dhe Bundesliga dhe dua të ndihmoj që RB Leipzig të rikthehet në Evropë. Mezi pres të zbres në fushë dhe të filloj.”