TV LIVE
Nga Rajoni
30 January 2026
Homazhe në nderim të veteranit të UÇK-së, Popaj, Latifi: Me Sinanin rrugëtimi luftarak ishte si të shkoje në festë

Janë bërë homazhet për veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sinan Popaj, e ku kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në fjalën e tij vlerësoi jetën, veprën dhe kontributin e tij në luftën për liri dhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij gjatë homazheve, Latifi tha se ndarja nga jeta e Sinan Popajt është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për bashkëluftëtarët dhe shoqërinë në përgjithësi.

 “Shoku ynë i ditëve të lavdishme, Sinan Popaj nuk është më në mesin tonë. Ai nuk është vetëm fizikisht, sepse ne, shokët e tij të luftës, do ta ruajmë kujtimin për të në mendjet e në zemrat tona. Të pikëlluar familjarë të Sinanit, shokë e miq, ishte shumë herët që ky njeri i mirë të largohet nga kjo botë”, tha Latifi.

Ai kujtoi angazhimin e Popajt gjatë luftës së UÇK-së, duke e cilësuar si figurë përfaqësuese të batalionit të tretë dhe si shembull përkushtimi e guximi.

“Sinanin e kishim imazhin e batalionit të tretë. Përherë i buzëqeshur dhe i gatshëm të marrë mbi vete detyra e angazhime luftarake dhe nuk ankohej asnjëherë. Me Sinanin rrugëtimi luftarak ishte si të shkoje në festë, sepse gjente kohë për të bërë humor të lehtë edhe në çastet më të rrezikshme të luftës”, u shpreh kryetari i Rahovecit.

Latifi foli edhe për tragjedinë e rëndë familjare që e kishte shoqëruar Sinan Popajn gjatë dhe pas luftës, duke theksuar forcën e tij shpirtërore.

“Fati tragjik e goditi rëndë familjen e tij. Vëllai Hashimi u vra në Krushë të Madhe dhe për shumë kohë figuronte i pagjetur. Sinani e kërkoi gjithandej dhe nuk u qetësua shpirti i tij deri sa e gjeti dhe e varrosi në tokën e të parëve, bashkë me shumë bashkëfshatarë të tjerë të vrarë mizorisht”, tha Latifi.

Sipas tij, edhe pas humbjeve të mëdha, Popaj mbeti stoik dhe i palëkundur.

“Sinani zhvarrosi e varrosi edhe shumë kushërinj e bashkëfshatarë. U mërzit ai – u mërzitëm të gjithë, por ishte i bindur se ky ishte çmimi i lirisë, ‘tagri i gjakut’. Qëndrimi i tij stoik dhe me kokën lart ua lehtësonte barrën e dhimbjes edhe të tjerëve”, theksoi ai.

Duke folur për kontributin pas luftës, Latifi nënvizoi rolin e tij në ndërtimin e institucioneve dhe forcave të sigurisë.

“Kontributi i tij në ndërtimin e forcës sonë mbrojtëse dhe angazhimi në TMK mbeten ndër angazhimet më të vyera të Sinanit për ndërtimin e shtetit dhe të ushtrisë së Kosovës. Sinani ishte i zakonshëm, por veprat në shërbim të atdheut e popullit të tij e bënë të veçantë”, tha Latifi.

Kryetari i Rahovecit shprehu nderim të thellë për jetën dhe veprën e Sinan Popajt.

“Gurët që ai i vendosi në ngrehinën tonë të përbashkët do ta mbajnë më të fortë dhe më të qëndrueshme ndërtesën e quajtur Atdhe. Prandaj humbja e tij dhemb shumë, por nderimi dhe respekti për veprën e tij do të jetojnë ndër breza”, shtoi Latifi.

Ndërsa bashkëluftëtari, Ilir Popaj foli për jetën e të ndjerit e ku tha se u dallua si një djalë trim.

“Ai lindi në fshatin Fortesë të komunës së Rahovecit. Që në fëmijërinë e tij u dallua si një djalë trim, i mençur dhe punëtor. Ishte i edukuar me frymë patriotike, ku edhe e bëri atë që të rreshtohej në radhët e UÇK-së“, tha ai.

Popaj përmendi kontributin e veteranit.

“Ishte i pari në sulme dhe i fundit në tërheqje. Sinani luftoi me dinjitet për lirinë e këtij vendi. Sinani u flijua me nder në altarin e lirisë. Ne, bashkëluftëtarët e tij, e kujtojmë gjithmonë me mall dhe respekt veprën e tij. Ai ishte një frymëzim për të gjithë ne dhe do të mbetet i paharruar në histori“, tha ai.



Të ndryshme
Më shumë