TV LIVE
Nga Vendi
28 January 2026
Amnisti e re për funksionarët në Maqedoninë e Veriut, u miratuan ndryshimet në Kodin Penal

Me 76 vota “për” dhe vetëm një kundër, pa asnjë amendament të pranuar nga diskutimet në komision dhe pa vërejtje nga ekspertët, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i miratoi ndryshimet në Kodin Penal të propozuara nga deputetët e shumicës VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk.

Ekspertët i kritikuan hapur këto ndryshime, duke theksuar se ato nuk parashikojnë dënime më të rrepta për funksionarët, por përkundrazi zgjasin amnistinë për ta dhe lejojnë që veprat të vjetërsohen më shpejt.

Megjithëse prej vitesh paralajmërohet Kod Penal i ri që po përgatitet nga një grup pune, deputetët e VMRO-DPMNE propozuan ndryshime përpara miratimit të Kodit të ri, pa dhënë asnjë arsye zyrtare për vonesën.

Vetëm deputetja e Levicës, Jovana Mojsoska, deklaroi se nuk do të votojnë, ndërsa partitë e tjera heshtën dhe ndryshimet u miratuan shpejt.

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit nuk pajtohet me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara për Kodin Penal. Sipas tyre, këto ndryshime nuk i largojnë dëmet thelbësore të shkaktuara me ndryshimet e Kodit penal të shtatorit 2023, por përkundrazi e dobësojnë më tej mbrojtjen penale-juridike nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare.



Të ndryshme
Më shumë