TV LIVE
Kuriozitete
28 January 2026
90 vite nga lindja e Ismail Kadaresë, shkrimtari që i dha jehohë letërsisë shqiptare

Më 28 janar 1936 u lind në Gjirokastër shkrimtari i madh Ismail Kadare, poet, prozator dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare. Ai konsiderohet një personalitet qendror i kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Arsimin e mesëm e kreu në qytetin e lindjes. Në vitin 1958 u diplomua në degën e gjuhës dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa më pas vijoi studimet për dy vjet në Institutin “Gorki” në Moskë.

Fillimet e tij letrare lidhen kryesisht me poezinë, me vëllime si “Frymëzime djaloshare” dhe “Përse mendohen këto male”. Në fushën e prozës, Kadare lëvroi tregimin, novelën dhe romanin. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) e konfirmoi atë si shkrimtar i madh.

Vepra të tjera të rëndësishme të krijimtarisë së tij janë: “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Kush e solli Doruntinën”, si dhe shumë tituj të tjerë, që e kanë bërë atë shkrimtarin shqiptar më të njohur në botë. Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer dhe botuar në mbi 45 gjuhë të huaja.

Kadare është nderuar me çmime dhe dekorata të shumta. Në vitin 2005 ai mori çmimin ndërkombëtar “The Man Booker International Prize”, një nga çmimet më të rëndësishme letrare në botë. Ai është dekoruar gjithashtu me Urdhrin “Nderi i Kombit”, dekoratën më të lartë shtetërore civile në Shqipëri, si dhe nga qeveria franceze, në vitin 2016, me “Kryqin e Legjionit të Nderit”, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturë dhe letërsi.

Ndërroi jetë më 1 korrik 2024 në Tiranë, në moshën 88-vjeçare.



Të ndryshme
Më shumë